Site icon Telegrafi

Po vjen “La Casa de Papel 4”, publikohen titujt e episodeve të reja dhe orari i transmetimit

Të gjithë janë duke pritur me padurim publikimin e sezonit të katërt të serialit shumë të shikuar të Netflix, “La Casa de Papel”.

Ngjarjet interesante nuk do të mungojnë as në sezonin e ri të asaj që në anglisht njihet si “Money Heist”, e që do të publikohet më 3 prill.

Seriali ka një llogari të ndjekur nga mbi shtatë milionë njerëz në rrjetin social Instagram, ku përmes disa videove të shkurtra të publikuara së fundmi, kanë treguar titujt e tetë episodeve të reja të sezonit të katërt.

Të tetë episodet do të publikohen përnjëherësh në të njëjtën kohë (por me ndryshime varësisht nga ora lokale e shtetit ku ndodhen shikuesit).

Në Kosovë, “La Casa de Papel”, do të jetë i disponueshëm me sezonin e katërt më datë 3 prill në orën 9:00, referuar të njëjtës orë lokale që ka me Italinë, e që është shteti më i përafërt që ndodhet në listën e shteteve të njoftimit zyrtar të serialit në Instagram, për zonat kohore të transmetimit.

Episodi i parë do të titullohet “Loja mbaroi”, ku protagonist kryesor do të jetë profesori i zhgënjyer nga mendimet se ka humbur Rakelën. Episodi i dytë titullohet “Dasma e Berlinit”, kushtuar personazhit me po të njëjtën nofkë, ndërsa i treti me radhë titullohet “Mësimi i Antonit”.

“Pasodoble” është episodi i katërt e që në fokus duket se ka vallëzimin e njohur spanjoll, “5 minuta më herët” do të quhet episodi i pestë dhe “TKO” i gjashti.

Ndërkohë, dy episodet e fundit të sezonit të katërt të këtij seriali, përkatësisht i shtati dhe i teti mbajnë titujt “Goditni tendën” dhe “Plani i Parisit”.

Lexo po ashtu Përmbledhje nga pjesa e parë, dytë dhe tretë e “La Casa de Papel”: Gjithçka çfarë duhet të dini para se të shikoni sezonin e katërt

Krahas njoftimit për kohën e publikimit, është publikuar edhe nga një ‘trailer’ i shkurtër për secilin episod, e që duket të jetë vërtetë emocionuese për ata që po e presin me endje.

Përveçs sezonit të katërt, Netflix ka paralajmëruar edhe publikimin e dokumentarit më të ri, kushtuar ekskluzivisht suksesit të serialit, që titullohet “La Casa de Papel: El Fenómeno”. /Telegrafi/

Exit mobile version