Ukraina në një moment do të duhet të hyjë në bisedime me Rusinë për t’i dhënë fund luftës më shumë se dyvjeçare, tha një zyrtar i lartë i inteligjencës ukrainase.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vazhdimisht ka përjashtuar bisedimet me Kremlinin duke i konsideruar si “të pamundura”.
Por, gjeneral-majori Vadym Skibitsky, zëvendës i drejtorisë së inteligjencës ushtarake të Ukrainës, HUR, tha për revistën Economics se përfundimisht të dy vendeve i nevojiten bisedimet, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
“Gjenerali Skibitsky thotë se nuk sheh një mënyrë që Ukraina ta fitojë luftën e vetme. Edhe nëse do t’i shtynte forcat ruse jashtë kufijve, kjo nuk do t’i jap fund luftës”, shkruhet në revistë.
“Luftëra të tilla mund të përfundojnë vetëm me traktate. Tani për tani, të dyja palët po përpiqen të vendosen në një ‘pozicion të favorshëm’ përpara bisedimeve të mundshme. Por, negociatat mund të fillojnë vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2025”, supozon gjenerali.
Ndryshe, Zelensky dhe zyrtarë të tjerë së fundmi kanë njoftuar se Rusia nuk është e ftuar në samitin e paqes në Zvicër.
Kjo pasi siç thekson edhe Ministri i Jashtëm ukrainas, Dymtro Kuleba, samiti ka për qëllim “të bashkojë vendet me të njëjtat parime dhe qasje”.
Mirëpo, me këtë fakt nuk pajtohet zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas të cilit pa praninë e Rusisë “konferenca nuk do të jap asnjë lloj rezultati”.
Ky samit u përshkrua nga Zelensky si “shansi i parë real për të filluar rivendosjen e një paqeje”.
“Të gjitha pozicionet tona, në fushën e betejës, në diplomaci dhe në sferën e informacionit, duhet të jenë të forta tani. Forca jonë, aftësitë tona, armët tona, uniteti me partnerët, e gjithë kjo duhet të funksionojë së bashku. Dhe do të funksionojë”, tha Zelensky. /Telegrafi/