Telegrafi

A po përshpejtohet procesi drejt një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi, të premten në mëngjes takimi i Kurtit me emisarët specialë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka konfirmuar për Telegrafin se të premten në Prishtinë do të jenë për vizitë pesë emisarët për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa kryeministri Albin Kurti do t’i takojë në orët e mëngjesit.

Në Prishtinë do të jenë i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, si dhe tre këshilltarët e jashtëm të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni.

Këshilltarët që do t’i shoqërojnë Lajçakun dhe Escobarin janë Jens Plettner, Emmanuel Beaune dhe Francesco M. Talo.

Lexo po ashtu E premtja e ‘madhe’ në Kosovë, Kurtit i shkojnë në zyre pesë zyrtarë të lartë për dialogun me Serbinë

Kryeziu tha për Telegrafin se në takim do të diskutohet për procesin e dialogut dhe hapat e ardhshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër.

“Po, kryeministri Kurti, nesër paradite, pret në zyrën e tij emisarin Lajçak dhe Escobar së bashku me këshilltarët e kancelarit gjerman, presidentit francez dhe kryeministres italiane, Plettner, Beaune dhe Talo. Do të diskutohet për procesin e dialogut dhe hapat e ardhshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Për detajet tjera, do të ketë njoftim zyrtar gjatë ditës”, u shpreh zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës. /Telegrafi/