Telegrafi

Po mbahet Java Globale e Ndërmarrësisë

Nga 16-22 Nëntor, në më shumë se 160 shtete paralelisht, po shënohet Java Globale e Ndërmarrësisë.

Global Entrepreneurship Week (Java Globale e Ndërmarrësisë) që ka filluar të hënën, ka mbledhur së bashku partnerët e mbështetës të saj, që çdo vit janë në rritje, nga 12 në vitin 2013 në 28 partnerë këtë vit.

Innovation Centre Kosovo (ICK), si nikoqir i kësaj jave në Kosovë, së bashku me partnerët e saj, janë duke ofruar ngjarje të shumta që për qëllim kanë promovimin e ndërmarrësisë dhe inovacionit. Vetëm në 2015, 10 milion njerëz pritet që drejtpërdrejt të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme në tërë botën.

Aktivitetet në Kosovë kanë filluar me lansimin e “Entrepreneurial Hub” nga Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK) dhe diskutimin “Qite n’letër” nga Oda Ekonomike Amerikane dhe USAID, për të vazhduar me trajnimin “Përgjegjësia sociale e koorporatave” nga KOSME, prezantimin “Roli i investitorëve në zhvillimin e ndërmarrësisë” nga ICK dhe TED Talk me Ricardo Semler nga American Corner Prishtina.

Dita e tretë, aktivitetet e së cilës po organizohen sot përfshijnë lansimin e projektit “Women in Online Work” të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Bankës Botërore, ligjeratën e Dr. Isabelle Moore nga Oda Ekonomike e Grave të Kosovës dhe konferencën “Mbështetja e grave në biznes” nga Oda Ekonomike Amerikane dhe USAID.

Ngjarje tjera me rëndësi që pritet të mbahen gjatë ditëve në vazhdim, përfshijnë: FuckUp Nights Prishtina nga ICK, diskutimin “Digital Market” nga CEED Kosovo, Mitrovica Master chef nga IBCM në Mitrovicë, Barcamp në Pejë, Gjakovë, Prizren dhe Ferizaj nga Ipko Foundation, Kuvendi i Këshillit të Nxënësve të Kosovës nga Kosovar Youth Council, eventi Open Source nga Prishtina Hackerspace, trajnimi bazik për ndërmarrës nga Kosovo United States Alumni (KUSA), Promovimi i Standardeve të Konsulencës në Kosovë nga BCC dhe gara e mirënjohur globale “Get in the Ring” nga Kolegji Universum dhe KOSBAN.

Kalendarin e të gjitha aktiviteteve mund ta gjeni KËTU

Java Globale e Ndërmarrësisë 2015 në Kosovë mbështetet nga Ambasada Suedeze, USAID dhe British Council.