Samiti i ardhshëm i paqes për Ukrainën, gjoja oferta më ambicioze në vite nga Zvicra neutrale, thuhet se tregon se si interesat ekonomike e të sigurisë zviceriane përputhen me Evropën Perëndimore.
Kjo është pikëpamja e dy avokatëve zvicerianë, bashkëpunëtorë të ngushtë me fuqitë perëndimore, të cilët thonë se Zvicra po e braktis traditën e saj neutrale.
Por, Ministria e Jashtme zviceriane tha se neutraliteti i Zvicrës “është i vazhdueshëm” dhe nuk do të ndikohet nga konferenca, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
“Por të jesh neutral nuk do të thotë të jesh indiferent. Zvicra dënon fuqishëm agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Jashtë sferës ushtarake, e drejta për neutralitet nuk pengon solidaritetin dhe mbështetjen për Ukrainën dhe popullin e saj”, shtoi ministria.
Bëhet e ditur se samiti do të përqendrohet në çështje me interes global si siguria bërthamore, liria e lundrimit, sigura ushqimore dhe çështjet humanitare.
Edhe pse Rusia nuk është e ftuar, Zvicra thotë se ajo duhet të përfshihet në proces.
Madje, Berni u ka kërkuar mbi 160 delegacioneve t’u bëjnë presion për pjesëmarrje edhe aleatëve rusë duke përfshirë Kinën, e cila thuhet se ende po e shqyrton pjesëmarrjen.
Ndryshe, mbështetja evropiane për samitin po forcohet, me kancelarin gjerman Olaf Scholz që ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij, dhe liderë të tjerë nga Spanja, Polonia e Finlanda. /Telegrafi/