Ndërsa samiti Rusi-Afrikë do të zhvillohet në Shën Petersburg, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka akuzuar qeveritë perëndimore se po përpiqen të sabotojnë ngjarjen.
I pyetur pse vetëm 17 krerë shtetesh do të marrin pjesë në samit, rreth gjysma e numrit që morën pjesë në vitin 2019, Peskov u tha gazetarëve se “jemi të lumtur të mirëpresim të gjithë krerët e shteteve”.
“Sa i përket reduktimit të numrit të krerëve të shteteve, kjo është kryesisht për shkak të agjendave të tyre të punës”, tha Peskov, raporton cnn.
Ai gjithashtu akuzoi SHBA-në, Francën dhe shtetet e tjera perëndimore se po u bëjnë presion udhëheqësve të vendeve të ndryshme që mos të marrin pjesë në forumin e organizuar nga Rusia.
Samiti, i cili do të mbahet të enjten dhe të premten, “do t’i kushtohet zhvillimit të marrëdhënieve me kontinentin afrikan”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.
Ndryshe, Kremlini njoftoi se presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojë takime dypalëshe me të gjithë krerët e shteteve afrikane që marrin pjesë në samit. /Telegrafi/