Site icon Telegrafi

“Plotësisht e pavërtetë”, Vitinha përgënjeshtron lajmet se ai u përlesh me Messin

Mesfushori i Paris Saint-Germain, Vitinha i ka mohuar lajmet se ai ishte i përfshirë në një përleshje me Lionel Messin në stërvitje dhe zbulon se ai ka dashur të largohet nga klubi francez. 

Sipas gazetës franceze L’Equipe, Messi dhe Vitinha patën një përleshje gjatë një seance stërvitore në muajt e parë të vitit 2023.

“Jo vetëm që jeni i dobët, por jeni duke më lënduar mua gjithashtu”, thuhet t’i jetë drejtuar argjentinasi, Vitinhas.

Kjo kritikë nuk ishte pritur mirë nga Vitinha i cili ishte i gatshëm të largohej nga “Parc des Princes” derisa bashkëkombësi i tij Danilo Pereira e bindi që të qëndroj.

Sidoqoftë, lojtari tashmë ka folur dhe i ka cilësuar këto raportime si plotësisht të pavërteta.

Lexo po ashtu Renditja e 32 klubeve të Ligës së Kampionëve sa i përket shpenzimeve: PSG dhe City në krye, Barcelona e fundit

“Unë zakonisht nuk komentoj asgjë tek mediat, por këtë herë jam i detyruar të flas. Është plotësisht e pavërtetë se kjo ka ndodhur”, ka shkruar mesfushori në një postim në platformën X.

Nga një figurë jo e rëndësishme nën urdhrat e Christophe Galtier, Vitinha tashmë ka marrë veten dhe është një ndër lojtarët kyç tek ekipi francez dhe trajneri Luis Enrique, falë paraqitjeve të mira të tij.

Ai ishte një ndër figurat kyçe në fushë në fitoren e PSG-së në ndeshjen ndaj Dortmundit në Ligën e Kampionëve të martën, teksa të besuarit e Enriques regjistruan një fitore me rezultat 2-0.

Vitinha shpreson se do të vazhdojë me paraqitje të mira edhe në vikend, kur PSG do të përballet me ekipin e Marseille.

Në anën tjetër, Messi do të rikthehet në fushë me ekipin e tij Inter Miami që do të përballet me Toronton në MLS. /Telegrafi/

Exit mobile version