Bashkimi Evropian synon të ndihmojë Ukrainën me një paketë ndihme financiare prej 1.36 miliardë dollarësh për të zbutur efektet e konfliktit me Rusinë, e cila ka grumbulluar trupa dhe armë të rënda në kufirin e Ukrainës.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, ka qenë shefja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, ajo që tha të hënën se paketa e ndihmës financiare ka për qëllim “të ndihmojë Ukrainën tani që të adresojë përshkallëzimin e saj të shpejtë në nevojat e financimit për shkak të konfliktit”.
“Komisioni propozon një paketë të re të ndihmës makro-financiare urgjente prej 1.2 miliardë eurosh (1.36 miliardë dollarë)”, tha von der Leyen në Bruksel, duke shtuar se paketa do të përbëhet nga kredi emergjente dhe grante.
Von der Leyen, e cila foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy të premten, u kërkoi vendeve anëtare të BE-së dhe Parlamentit Evropian që të miratojnë ndihmën “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ajo u bëri thirrje gjithashtu partnerëve ndërkombëtarë si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) që të ndjekin të njëjtën qasje dhe të rinovojnë angazhimin e tyre me Ukrainën.
Vetë Komisioni Evropian pothuajse do të dyfishojë ndihmën e tij dypalëshe në grante për Kievin këtë vit, duke shtuar 135 milionë dollarë të tjerë mbi 180 milionë dollarët e planifikuar tashmë, tha ajo. /Telegrafi/