Pesë vende arabe pritet të bien dakord së shpejti në një samit në Riad për një përgjigje të përbashkët ndaj planit të presidentit amerikan, Donald Trump për zhvendosjen e banorëve të Rripit të Gazës, sipas një burimi të afërt me qeverinë saudite.
Takimi i liderëve të Arabisë Saudite, Egjiptit, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë pritet të zhvillohet disa ditë para samitit të planifikuar më 27 shkurt në Egjipt.
Gjatë takimit në Riad, do të konfirmohet kundërshtimi ndaj “zhvendosjes së banorëve të Rripit të Gazës”, tha burimi saudit, shkruajnë mediat.
Trump kishte deklaruar se banorët e Gazës “mund të jetojnë në zona shumë më të sigurta dhe ndoshta më të rehatshme” në vende të tjera, duke përmendur Egjiptin dhe Jordaninë.
Ai gjithashtu i kërcënoi këto dy vende me ndalimin e ndihmës amerikane nëse refuzojnë të pranojnë palestinezët e zhvendosur.
Propozimi i tij ka shkaktuar dënime nga palestinezët, si dhe nga shtetet e Lindjes së Mesme dhe Evropës. /Telegrafi/