Telegrafi

Plani rus për të dërguar armë bërthamore në Bjellorusi dëshmon se bisedimet Putin-Xi dështuan, thotë Zelensky

Plani i deklaruar i Rusisë për të zhvendosur armë bërthamore në Bjellorusi është provë se bisedimet midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij kinez Xi Jinping në fillim të këtij muaji dështuan, tha të premten Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Megjithëse Kina ishte dukur se pozicionohej si një ndërmjetës paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës në javët para vizitës shtetërore tre-ditore të Xi Jinping në Moskë, takimet midis dy liderëve nuk sollën një përparim domethënës në zgjidhjen e konfliktit, transmeton Telegrafi.

“Sinjali se Rusia dëshiron të vendosë armët e saj bërthamore në Bjellorusi më thotë se takimi me Kinën ishte i pasuksesshëm, ka dështuar”,  tha Zelensky gjatë një vizite në Bucha.

Presidenti ukrainas tha gjithashtu se udhëheqësi i Bjellorusisë Alexander Lukashenko ka “humbur çdo rëndësi”, duke pretenduar se ai “nuk vendos asgjë për llojin e armëve që zhvendosen në vendin e tij”.

Ditë më parë, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se do të zhvendosë armë bërthamore në Bjellorusi. /Telegrafi/