Juventusi është duke u përgatitur që t’ua rrëmbejë nga duart Erling Haalandin klubeve të interesuara, si Real Madrid dhe konkurrentëve nga Liga Premier.
Zonja e Vjetër ishte pranë transferimit të sulmuesit në verën e kaluar, mirëpo ai zgjodhi të shkonte te Borussia Dortmundi, duke qenë se oferta e Bianconerëve ishte që ta përfshinin në ekipin U-23.
Megjithatë, tash kampioni i Italisë është duke u angazhuar që ta ketë në skuadër 19-vjeçarin në vitin e ardhshëm dhe në këtë mënyrë do t’ia paguajë klauzolën prej 75 milionë eurosh.
BVB pagoi vetëm rreth 19 milionë euro kur e transferoi nga Red Bull Salzburgu dhe do të përfitonte shumë me shitjen e tij, ndërsa Juve planifikon ta zëvendësojë Gonzalo Higuainin.
Për më shumë, sipas Tuttosport, Zonja e Vjetër e konsideron Haalandin si një zgjidhje afatgjate në fazën e sulmit.
Besohet se norvegjezi ka një klauzolë në vlerë prej 75 milionë eurosh, e cila aktivizohet në verën e vitit 2021 duke ua mundësuar klubeve të mëdha transferimin e tij.
Megjithatë, Juventusi ka konkurrencë të fuqishme për nënshkrimin e sulmuesit. Real Madridi konsiderohet favorit kryesor për të.
Los Blancos po përgatitin epokën e tretë të ‘galaktikëve’, ndërsa e konsiderojnë Haalandin pjesë të ekipit së bashku me Kylian Mbappe në sulm.
Po ashtu, Manchester Unitedi dhe klubet tjera nga Liga Premier janë në garë për shërbimet e talentit që i ka shënuar 13 gola në 13 paraqitje për BVB-në. /Telegrafi/