Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje të plagosjes në lokalin Bon Vivant në Prishtinë.
Në njoftim bëhet e ditur se pas një mosmarrëveshje mes disa të dyshuarve meshkuj janë përdorur edhe armë zjarri ku si pasojë lëndime trupore kanë pësuar katër meshkuj.
Policia më tej bën të ditur se si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra.
“Rr. Xheladin Hana, Prishtinë 04.08.2023-20:17. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra”, thuhet në njoftim.
Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë).
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku.
Policia njofton se një i dyshuar mashkull gjendet në arrati.
Ndërkaq, Shaqir Uka nga Mjekimi Intensiv bëri të ditur për Telegrafin se njëri nga të lënduarit ka vdekur.
“Nga informacionet që kam nga ekipi kujdestarë i Mjekimit Intensiv, një pacient që ka marrë plagë nga plagosja e mbrëmshme pas intervenimit kirurgjik është sjell për trajtim të mëtutjeshëm në Mjekimin Intensiv. Pacienti në fjalë edhe përkundër të gjithë trajtimit kirurgjik dhe terapisë intensive nuk ka arrit t’iu mbijetoj plagëve dhe ka ndërruar jetë në orët e hershme të mëngjesit. Ka qenë i plagosur në regjionin e barkut, mosha e tij 39 vjeç”, tha Shaqiri. /Telegrafi/