Një person është plagosur nga të shtënat me armë zjarri sot në orët e mbrëmjes në fshatin Nashec të Prizrenit, pasi në drejtim të tij është shtënë nga një automjet në lëvizje.
Rastin e ka konfirmuat për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
“Me datë 17.05.2024 rreth orës 19:45, stacioni policor Prizren ka pranua informatë se në Emergjencën e Spitalit Rajonal Prizren rreth orës 18:20 është sjellë një person i plagosur me armë zjarri. Pas marrjes së informatës Policia menjëherë iu ka përgjigj rastit, ka shkuar në spital dhe sipas informatave te para viktima është J.A. Viti i lindjes 1987, nga fshati Korishë e Prizrenit. Ndërsa i dyshuari i cili është larguar nga vendi i ngjarjes është po ashtu nga fshati Korishë dhe bëhet fjalë për personin B.U.”, ka thënë Gashi.
Sipas zëdhënësit, viktima është plagosur në këmbën e djathtë dhe është jashtë rrezikut për jetë, sipas mjekëve nga emergjenca e spitalit rajonal në Prizren.
“Rasti ka ndodhur në fshatin Nashec të Prizrenit, ku dyshohet se i dyshuari ka gjuajtur nga automjeti duke lëvizur në automjetin e viktimës. Njësitet policore janë në kërkim të dyshuarit”, ka thënë ai.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i shtetit dhe sektori i hetimeve rajonale në Prizren. /Telegrafi/