Një person ka mbetur i plagosur në të dy këmbët nga të shtënat me armë zjarri në Vushtrri.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 21:35, në rrugën “Hamdi Krasniqi”, në Vushtrri.
Siç thuhet në raport, njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja e më pas nga i dyshuari kanë sekuestruar një revole e cila dyshohet se është përdorur në rast.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka shtënë me armë në drejtim të viktimës mashkull kosovar, duke e plagosur në të dy këmbët. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja e më pas nga i dyshuari kanë sekuestruar një revole e cila dyshohet se është përdorur në rast”, thuhet në raport.
Ndërkaq, sipas raportit, viktimës fillimisht iu është ofruar trajtim mjekësor në emergjencën e Vushtrrisë e më pas është dërguar në QKUK, Prishtinë nga ku është liruar.
“Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”.
Tutje në raport, thuhet se një predhë e plumbit ka rënë në dritaren e një shtëpie, por përveç dëmtimit të dritares pasoja në njerëz nuk ka pasur. /Telegrafi/