Telegrafi

Plagosja në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, policia arreston një të dyshuar

Foto: Ilustrim

Policia Kosovës, gjegjësisht Drejtoria Rajonale në Prishtinë lidhur me dy raste “Vrasje në tentative” në Prishtinë, njëri prej të cilëve ka ndodhur me datën 09.02.2021 në rrugën “Xhemajl Mustafa”, në të cilin nga arma e zjarrit është plagosur një person, ka arrestuar një të dyshuar.

“Hetuesit nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme – Prishtinë, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin kanë identifikuar dhe arrestuar personin e dyshuar B. S. nga Istogu i cili dyshohet se ka qenë i involvuar në këto vepra penale.

Operacioni policor është realizuar mbrëmë në një banesë në Fushë Kosovë, nga njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të mbështetur dhe nga Njësia Speciale Intervenuese (NJSI)”, thuhet në njoftim.
Pjesë e operacionit ka qenë edhe kontrolli i lokacionit ku janë gjetur dhe sekuestruar: një pistoletë CZ me 9 fishekë si dhe bimë narkotike 40 gram, dhe një shufër metalike.

“Po ashtu për personin e dyshuar, nga Gjykata Themelore në Pejë është lëshuar urdhër arrest si dhe personi i dyshuar është në kërkim nga DRP Pejë, pasi që i njëjti dyshohet se është recidivist i disa veprave penale. Me urdhër të Prokurorit të Shteti i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/