Telegrafi

Plagosja në Fushë Kosovë, mjeku Govori: Gjendja shëndetësore e grave të plagosura jashtë rrezikut për jetë, por me lëndime serioze

Dy gratë të cilat u plagosën të shtunën nga arma e zjarrit në rrugën “Besa- Besë”, në Fushë Kosovë janë jashtë rrezikut për jetë, por kanë lëndime serioze.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin doktori kujdestar, Ejup Govori, i cili tregoi se pacientja e lindur në vitin 1959 për momentin është në një intervenim kirurgjik.

Ai po ashtu tregoi se pacientja tjetër është në gjendje stabile dhe gjendet në emergjencë, duke iu kryer ekzaminimet të tjera.

“Gjendja shëndetësore e grave të plagosura ishte stabile por lëndimet janë serioze. Njëra paciente e cila është e vitit 1959 është transferuar në sallë të operacionit për intervenim kirurgjik nga kirurgu abdominal dhe ortopedi, d.m.th në bark dhe në ekstremitete. Ndërsa, pacientja tjetër është stabile, mirëpo është ende duke qëndruar në emergjencë dhe janë duke u kryer konsultat e mëtutjeshme”, ka thënë Govori.

Lexo po ashtu Dy gra plagosen me armë zjarri në Fushë Kosovë

Të shtunën në mesditë janë plagosur dy gra nga arma e zjarrit në rrugën “Besa Besë”, në Fushë Kosovë. I dyshuari është arratisur, ndërkaq identiteti i tij është i njohur për policinë.

Lajmin për Telegrafin e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Lexo po ashtu Identifikohet i dyshuari që plagosi dy gra në Fushë Kosovë

Sipas saj, të plagosurat janë dërguar menjëherë për tretman mjekësor.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se nga një person i dyshuar, me armë zjarri janë plagosur dy persona (të dyja të gjinisë femërore), të cilat janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë bërë të ditur se mbi të dyshuarin për plagosjen rëndojnë veprat “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

“Ju njoftojmë se me të pranuar informatën, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes me njësite e tjera relevante, ku sipas informatave fillestare mund t’iu njoftojmë se nga të shtënat me arme zjarri nga një i dyshuar, janë plagosur dy femra të cilat janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar në drejtim të veprave penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje’ ”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/