Telegrafi

Plagosja e kryetarit të Bashkisë së Divjakës, Balla: Një i çmendur mori thikën dhe e goditi

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ndodhet në spitalin e Lushnjës, për të parë nga afër gjendjen në të cilën ndodhet kreu i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, i cili u plagos me thikë mëngjesin e sotëm.

Në një kominikim me gazetarët, Balla është shprehur se Kokoneshi, bashkë me shoferin e tij Gazmir Bullari i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale.

“Ngjarja është një ngjarje shumë e rëndë. Shpresoj që kolegu ynë dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë ta kalojnë këtë gjendje të vështirë. Të dy i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale. Është produkt i ndasisë dhe përçarjeve që mbillet çdo ditë. Lëreni policinë të bëjë punën e vetë. Dy persona sot luftojnë për jetën. Di që një i çmendur sot ka dalë nga shtëpia, ka marrë thikën dhe ka shkuar ta godasë”, u shpreh ai.

Rreth orës 9:30 të së premtes, Orgest Xhelili goditi me thikë kryetarin e Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi dhe shoferin e tij.

Ngjarja ndodhi në afërsi të bashkisë dhe menjëherë të lënduarit janë dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Lushnjë.

Autori është arrestuar nga Policia. Ky i fundi më herët ka qenë punonjës IT në bashki. Ende nuk dihen detaje nga ngjarja e rëndë. /Telegrafi/