Është zbardhur dëshmia e Lul Rakaj, i cili plagosi një ditë më parë 2 persona me 8 plumba në Malësinë e Madhe.
Para efektivëve të Policisë, Rakaj ka deklaruar se ka qëlluar pasi dy personat që mbetën të plagosur i kishin rrahur nipin.
“Pak ditë më parë dy personat që kam plagosur kanë goditur nipin tim duke e rrahur. Nuk e di se çfarë konflikti kanë pasur por di që më kanë goditur nipin i cili më tregoi për ngjarjen e ndodhur. Unë shkova për të folur me ta dhe aty nisi debati. Dyshova se njëri prej tyre kishte armë zjarri ndaj duke menduar se mund të më vrisnin qëllova ndaj tyre”, ka thënë Rakaj.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës në fshatin Vrakë, në hyrje të një lokali, ku Rakaj qëlloi me armë zjarri duke lënë të plagosur shtetasit Besmir Qofi dhe Avenir Hasanaj të cilët u transportuan në spitalin rajonal të Shkodrës.
Rakaj u arrestua pas 3 orësh ndjekje nga efektivët, ndërkohë nga ana e policisë ende nuk janë zbardhur motivet dhe rrethanat e ngjarjes.
“Nisur nga fakti që autori ishte i armatosur, në ndihmë të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të Komisariatit të Malësisë së Madhe, shkuan Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe dy grupe të Forcave Speciale RENEA, për të bërë të mundur neutralizimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, Shërbimet e Policisë Kufitare morën masa për bllokimin e kufirit me qëllim mos lejimin e largimit drejt Malit të Zi, të autorit të dyshuar.
Pas afro tre orë ndjekjeje dhe kontrollesh, Forcat Speciale RENEA, në zonën e ballkonit të Tamarës, lokalizuan dhe rrethuan autorin e dyshuar duke i bërë thirrje që ai të dorëzohej.
Shtetasi L.R nuk iu përgjigj thirrjes për dorëzim, por tentoi disa herë që të dilte nga rrethimi duke përfituar edhe nga koha e keqe me reshje shiu dhe nga zona e pyllëzuar, por nuk ka mundur dot të largohet dhe pas disa minutash në rrethim është kapur e vënë në pranga”, sqaronte dje policia.