Një person është plagosur sot rreth orës 11:00 nga të shtëna me armë zjarri në lagjen “Dardania”, në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas saj, viktima është dërguar për tretman mjekësor ndërsa policia ka dal menjëherë në vendngjarje.
“Sot rreth orës 11:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në lagjen ‘Dardania’, në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se një person është plagosur dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Po ashtu siç bëri të ditur ajo hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit. /Telegrafi/