Telegrafi

Pjesëtar me simbole të grupit Wagner janë parë në protestën e sotme në Zubin Potok

Në tri komunat në veri të Kosovës, edhe sot janë duke vazhduar protestat e serbëve lokalë kundër zgjedhjes së kryetarëve të rinj nga radhët e shqiptarëve në këto komuna.

Ashtu si në ditët e para në mesin e protestuesve ka pasur edhe grupe kriminale serbe, të cilët kanë sulmuar gazetarët, policët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it.

Në mesin e këtyre personave ka pasur edhe njerëz të maskuar dhe pjesëtarë të cilët kanë pasur të veshur bluza me simbolin “Z” që e karakterizon grupin mercenar rus Wagner.

Lexo po ashtu Pamje që tregojnë dhunën e grupeve kriminale serbe ndaj ushtarëve të KFOR-it

Edhe gjatë ditës së sotme në Zubin Potok, janë vërejtur në mesin e protestuesve edhe pjesëtarë të këtyre grupeve kriminale. Kjo është dëshmuar në një fotografi që ka siguruar Telegrafi nga vendi i ngjarjes ku po zhvillohet protesta.

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia është pyetur pikërisht për mercenarët rus, pjesëtarët e Brigadës Wagner, për të cilët u tha se janë nisur për në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it bëri të ditur se deri më tani nuk ka asnjë dëshmi për praninë e tyre në këtë zonë.

Lexo po ashtu Kompania izraelite: Grupi Wagner është nisur në Kosovë

Ndryshe të hënën në veri, grupet e tilla kriminale serbe sulmuan ushtarët e KFOR-it, ku për pasojë 30 prej tyre kanë mbetur të plagosur.

Cak i sulmeve të këtyre grupeve tash e pesë ditë janë edhe mediat e ndryshme të cilat po raportojnë për ngjarjet në veri të Kosovës. /Telegrafi/