Mediat italiane raportojnë se mesfushori i Juventusit, Miralem Pjanic, ka hedhur poshtë një transferim te Chelsea këtë verë.
Mesfushori boshnjak ka qenë i lidhur me Manchester Cityn, Barcelonën dhe Paris Saint-Germain për një transferim gjatë këtij afati kalimtar.
Por, Zonja e Vjetër thuhet se nuk do të marr parasysh asnjë ofertë nën 100 milionë euro për shërbimet e boshnjakut.
Madje edhe kjo mund të jetë e pamjaftueshme, raporton mediumi italian CalcioMercato.com.
Sipas CalcioMercatos ish-mesfushori i Romës, Pjanic, ka hedhur poshtë transferimin te Chelsea më herët këtë verë.
Blutë nuk kishin asnjë marrëveshje me Juven, por i kërkoi mesfushorit të kuptonte nëse do të pranonte një lëvizje në Stamford Bridge.
Është e njohur se Juventusi nuk mban lojtarë kundër vullnetit të tyre, kështu që nëse Pjanic do thoshte se do të largohej atëherë do të kishte vend për negociata.
Megjithatë, boshnjaku e bëri të qartë se ai është i lumtur në Torino dhe nuk ishte i interesuar për Chelsean. /Telegrafi/