Barcelona e ka kompletuar edhe në këtë afat kalimtar një transferim të madh, pasi i mori shërbimet e Antoine Griezmannit për 120 milionë euro nga Atletico Madridi, derisa Gerard Pique kishte deklaruar vite më parë se kampionët e La Ligas nuk do të bënin shpenzime të mëdha si Real Madridi.
Të premten skuadra katalunase konfirmoi zyrtarisht transferimin e sulmuesit francez nga rivali i tyre nga liga, në njërin prej transferimeve më të shtrenjta në histori të futbollit.
Derisa shumë fytyra shiheshin të buzëqeshura në Camp Nou, ndoshta fytyra e Pique nuk dukej edhe aq mirë, shkaku i deklaratës që kishte bërë gjashtë vite më parë.
Në vitin 2013, mbrojtësi spanjoll kishte dhënë një intervistë për Marca, duke deklaruar se Real Madridi shpenzonte shuma të majme parash në transferime, derisa i referohej Barcelonës se nuk do të bënte kurrë aso transferime dhe se po garonte me një klub që po e shkatërronte futbollin.
“Barcelona nuk mund ta bëjë këtë, ne e dimë që jemi të ndryshëm, ne mund të garojmë me ata (Real Madridin) pa shpenzuar shuma të mëdha”.
“Real Madridi ka kaluar një vit pa fituar tituj dhe ka shpenzuar 160 milionë euro në tre lojtarë, Isco, Bale dhe Illarramendi”, kishte thënë Pique.
“Ne e kemi transferuar Neymarin për 60 apo 70 milionë euro, por jo për tre lojtarë. Ne nuk jemi klub i varfër, por ne jemi duke garuar me klubin më të pasur në botë”, kishte thënë më tej spanjolli.
Sipas Transfermarkt, kampioni i La Ligas që nga viti 2013 ka shpenzuar mbi një miliard euro, ndërsa Los Blancos, që e kanë fituar tri herë radhazi Ligën e Kampionëve, që nga atëherë kanë shpenzuar afro 850 milionë euro. /Telegrafi/