Trajneri italian, Stefano Pioli ka thënë se Milani dëshiron të shmangë Interin ose Napolin në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.
Kuqezinjtë janë rikthyer në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve për herë të parë në 11 vjet pasi mposhtën Tottenhamin 1-0 në total në fazën e 1/8-tës. Sezonin e kaluar, Milani përfundoi i fundit në grup.
Gjatë intervistës së tij pas ndeshjes me Amazon Prime Italia, Pioli tha se nuk ka “asgjë të pamundur në sport” dhe gjatë konferencës së tij për shtyp të mërkurën mbrëma tha se nuk dëshiron të përballet me klubet e Serie A në raundin tjetër.
“Futbolli italian po rritet. Shpresoj se nuk do të përballemi me klubet e Serie A në çerekfinale”, ka thënë fillimisht trajneri i kuqezinjve.
“Milani nuk ka luajtur në Ligën e Kampionëve për vite me radhë dhe ne kemi luftuar më shumë sezonin e kaluar. Tani kemi më shumë përvojë, i përballojmë këto sfida me frymën e duhur”, përfundoi Pioli.
Ndryshe nga kuqezinjtë, Interi dhe Napoli nuk janë kualifikuar ende në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, pasi po presin ndeshjet kthyese.
LIVE MN – Pioli in conferenza: “Mi auguro di non incontrare Inter e Napoli ai quarti” https://t.co/HbxHo8KNh0
— MilanNews.it (@MilanNewsit) March 8, 2023
Nerazzurrët fituan ndeshjen e parë në San Siro kundër Portos me rezultat 1-0, ndërsa Napoli mundi Eintracht Frankfurt 2-0 si mysafir. Të dy gjigantët e Serie A do të luajnë ndeshjen e dytë javën e ardhshme.
Milan, Bayern Munich, Benfica dhe Chelsea janë kualifikuar në çerekfinale pas ndeshjeve të kësaj jave në garën elitare të Evropës. /Telegrafi/