Telegrafi

Pioli u largua me lot në sy nga San Siro pasi mori një mesazh pikëllues pas ndeshjes ndaj Fiorentinas

(Foto: Twitter)

Milani triumfoi ndaj Fiorentinas (2-1) në një ndeshje entuziazmuese, ndërsa veç përfundimit dramatik, vëmendje të madhe mori edhe trajneri Stefano Pioli, i cili u largua nga San Siro me lot në sy.

Strategu i Rossonerëve nuk u paraqit në konferencën për shtyp, ndërsa në vend të tij foli Paolo Maldini duke shpjeguar se ai u desh të largohej për arsye familjare.

Në fillim nuk ishte e qartë se për çfarë bëhej fjalë, ndërsa tashmë mediat italiane kanë zbuluar se pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, Pioli lexoi një mesazh të hidhur në telefonin e tij për vdekjen e kunatit (vëllait të gruas), i cili ka ndërruar jetë papritur nga sulmi në zemër në moshën 63 vjeçare.

Ky njoftim e duket e se e ka prekur shumë trajnerin, ndërsa krahas Rossonerëve, ngushëllime i ka shprehur edhe klubi rival, Inter, të cilin e ka drejtuar në sezonin 2016/2017. Pioli ka marrë ngushëllime edhe nga shumë klube të tjera italiane.

Ndryshe, Milani është në vend të dytë në tabelë me tetë pikë më pak se lideri Napoli. /Telegrafi/