Milani ka bërë detyrën në kampionat, pasi ka mposhtur Salernitanan me rezultat komod 2-0.
Ishte një fitore shumë e rëndësishme e Rossonerëve që tani kryesojnë në kampionat me 38 pikë, një më shumë se Inter dhe dy më shumë se Napoli.
Trajneri i Milanit, Stefano Pioli është shprehur shumë i lumtur me fitoren në kampionat, edhe pse priste më shumë gola të shënuar nga ekipi i tij.
“Unë dal me kënaqësinë e një paraqitjeje të mirë dhe një fitore të mirë. Sigurisht që të shënonim edhe disa gola do të ishte më mirë. Unë jam i kënaqur me besimin dhe pjekurinë që ka treguar skuadra duke i dhënë vazhdimësi ndeshjes së Genoa”, deklaroi Pioli.
Tutje tekniku italian foli edhe për përballjen ndaj Liverpoolit në Ligën e Kampionëve.
Për Rossonerët fitorja është e domosdoshme pasi vetëm në këtë mënyrë do ta kalonin grupin aktual.
Pioli ka deklaruar se duhet të jenë cilësorë dhe me intensitet pasi Liverpooli ka 1000 pika të forta.
“Takimi me ta tashmë na jep më shumë informacion rreth tyre. Në Ligën e Kampionëve nuk mund të mos jesh cilësor dhe intensiv. Ato duhet të jenë karakteristikat tona”.
“Liverpooli ka një mijë pika të forta, ata kanë sulmues fantastikë përpara. Është një nga skuadrat më të forta, ne do të përpiqemi të japim më të mirën”, tha Pioli. /Telegrafi/