Telegrafi

Pioli flet pas fitores ndaj Juventusit: Kemi kualitete për të siguruar rezultate pozitive

Milan ka arritur ta fitoj derbin e xhiros në Itali pasi ka mposhtur Juventusin në ‘San Siro’ me rezultat të pastër 2-0.

Ka qenë një ndeshje e dominuar nga Rossonerët të cilët përkundër mungesave të shumta triumfuan dhe vazhduan me fitore në kampionat.

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli ka thënë se ka qenë një reagim i mirë i skuadrës pas humbjes në mesjavë në Ligën e Kampionëve ndaj Chelseat.

“Mendoj se ishte një ndeshje shumë intensive, vendosëm shumë energji në fushë. Në 20 minutat e para nuk ishim shumë të qartë teknikisht, por djemtë sakrifikuan si gjithmonë. Sigurisht që ndikoi ajo çfarë ndodhi ndaj Chelsea. Në Londër u përçamë, sot ishim më shumë skuadër”.

“Gabimet e kryera në Ligën e Kampionëve na frikësuan, por skuadrat harxhuan shumë energji në pjesën e parë, një gjë e tillë të çon edhe në gabime. Chelsea na dha një leksion, çmimin e të cilit e pagoi Juventusi”.

“E kemi të qartë se nëse punojmë dhe luftojmë të bashkuar, ne e kemi kualitetin për të siguruar rezultate pozitive”, tha Pioli.

Tutje trajneri italian ka lavdëruar edhe paraqitjen e dy yjeve të repartit ofensivë si Rafael Leao dhe Brahim Diaz, me spanjollin që realizoi golin e dytë në këtë sfidë.

“Leao hapin e madh duhet ta hedhë në fazën e lojës pa top. Ai ka cilësi fantastike, por duhet të vazhdojë të punojë fort. Ai është një futbollist i kompletuar”.

“Jam shumë i lumtur për Brahim Diaz, e meriton golin këtë moment. Edhe pse zgjedhjet e mia nuk e kanë kënaqur, asnjëherë nuk e ka humbur vullnetin”, deklaroi trajneri i kampionëve të Italisë. /Telegrafi/