Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se Millun Millenkoviq-Llune – i arrestuar të martën nga Policia e Kosovës – nuk është kriminel dhe se Policia e Kosovës nuk ka prova për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
“Në vend që të lirojë Radoshin dhe Dushanin, Kurti arreston një serb tjetër. Lune nuk ka precedentë penalë. Ai ka medalje të shumta që i ka fituar si sportist dhe trajner i shquar i klubit të kikboksit nga Mitrovica e Kosovës. Nuk ka dëshmi as ‘Nova.rs’ që thotë se organizatori i sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it është arrestuar”, ka thënë Petkoviq, raporton “Danas”, transmeton Telegrafi.
Autoritetet kanë thënë se Millenkoviq ka qenë mbrapa sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, dy javë më parë.
Petkoviq ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Beograd se, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në vend që t’i ulë tensionet, ai po dërgon forca të reja policore në veri të Kosovës.
Petkoviq i ka bërë thirrje KFOR-it që të reagojë urgjentisht dhe që t’i largojë forcat speciale nga veriu i Kosovës.
Tre pjesëtarë Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri të Kosovës, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, teksa ka njoftuar se në këtë aksion është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkoviq- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ministri në Facebook.
Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh. /Telegrafi/