Pentagoni ka njoftuar për një pako shtesë ushtarake për Ukrainën, që kap vlerën e 550 milionë dollarëve.
Kjo asistencë ushtarake që është realizuar nga Shtetet e Bashkuara, përfshin municion si dhe raketa të kalibrit të ndryshëm për sistemet moderne raketore, që i janë dhënë më herët, transmeton Telegrafi.
“Sot Departamenti i Mbrojtjes ka njoftuar për autorizimin e marrë nga presidenti, për një pako tjetër të asistencës ushtarake që kap vlerën e 550 milionë dollarëve, dedikuar për ushtrinë ukrainase. Ky autorizim për dërgimin e armëve është i 17 në administratën e Bidenit”, thuhet në kumtesën e Pentagonit.
Deri më tani Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Ukrainën me armë të ndryshme, që kapin vlerën e 8.8 miliardë dollarëve që nga fillimi i pushtimit rus në këtë shtet.
Ndërkaq nga viti 2014, SHBA-të kanë ndihmuar këtë vend në fushën e sigurisë me mbi 10 miliardë dollarë.
E për të përmbushur nevojat e ushtrisë ukrainase, SHBA-të dhe aleatët e saj janë zotuar që të vazhdojnë me ketë asistencë ushtarake. /Telegrafi/