Zbritja e vlerës së kontratës nga 15 centë në vetëm 6 centë për ton-kilometër, ka ndikuar që 15 kompani, të kontraktuara nga kompania Bechtel-Enka, në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, t’i ndërpresin punët e tyre.
Përfaqësues të këtyre kompanive thonë se Bechtel-Enka u ka ofruar kontratë me vlerë më të ulët sesa vitin e kaluar. Kurse zyrtarët e kompanisë Bechtel-Enka thanë për RTK-në se pavarësisht kësaj, puna në autostradë po vazhdon.
“Pa asnjë paralajmërim na kanë ofruar kontrata të reja në lartësi prej 0.6 centësh për ton-kilometër nga 15 centë sa ishte vitin e kaluar”, thonë pronarët e kompanive tashmë të larguara.
Televizioni publik mbrëmë ka filmuar disa nga kamionët e këtyre kompanive që kanë ndërprerë punën e edhe zonën e gurthyesit, ku shihen kamionë dhe makineri tjera të këtyre kompanive që po ashtu kanë ndaluar punën.
Zëdhënësja e Bechtel-Enkës, Ela Ruçi, ka deklaruar se kjo është çështje kryekëput private mes Bechtelit dhe kompanive dhe se nuk e komentojnë këtë çështje.
Në anën tjetër, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, thotë se nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë ne marrëdhënie të tilla kontraktuale.
Në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Bechtel-Enka, një kilometër autostradë kushton 10 milionë euro. Oferta e parë e konsorciumit fitues ka qenë 500 milionë euro, nëse autostrada ndërtohet pa tunel, ndërsa nëse ndërtohet tuneli, Bechtel & Enka ka kërkuar 600 milionë euro.
Autostrada Prishtinë-Hani Elezit do të jetë e gjatë 55 kilometra dhe pritet të përfundojë brenda 42 muajve.