Site icon Telegrafi

Pesë super yjet jo-evropianë që mund ta kishin fituar “Topin e Artë” para vitit 1995 kur u ndryshua rregulli

‘Topi i Artë’ është një çmim që kurorëzon futbollistin më të mirë në planet brenda vitit.

‘Topi i Artë’ është çmimi më i lakmuar për çdo futbollist, pasi është i rezervuar për më të mëdhenjtë, duke kthyer në legjenda ata që e fituan ndër vite.

Ky çmim ka filluar të dhurohet në vitin 1956, por ishte i rezervuar vetëm për lojtarët me origjinë evropiane. Rregullat u ndryshuan për herë të parë në vitin 1995, kur të gjithë futbollistët profesionistë që luanin në të gjithë Evropën u konsideruan të përshtatshëm për çmimin. Si rezultat, George Weah, ishte i pari jo-evropian që fitoi “Topin e Artë”.

Vetëm në vitin 2007 u bë çmim global, duke bërë që lojtarët nga e gjithë bota të konsiderohen si të kualifikuar.

Për shkak të faktit se “Topi i Artë” iu dha vetëm lojtarëve evropianë para vitit 1995, shumë lojtarë të mëdhenj jo-evropianë nuk e kanë fituar këtë çmim.

‘France Football’ më vonë kreu një rivlerësim të çmimit në 60-vjetorin e tyre, ku 12 nga 38 çmimet e “Topit të Artë” nga viti 1956 deri në 1994 iu dhanë futbollistëve të Amerikës së Jugut.

Më poshtë i gjeni disa nga emrat që e merituan këtë trofe para se të dhurohej edhe para vendimit të vitit 1995.

#5 Mario Kempes 

Mario Kempes ishte njeriu kryesor pas triumfit të parë të Argjentinës në Kupën e Botës në vitin 1978. I njohur si ‘El Matador’, Kempes ishte një golashënues i bujshëm dhe udhëhoqi Argjentinën drejt fronit.

Kempes shënoi gjashtë gola në Kupën e Botës 1978, duke fituar si “Këpucën e Artë”, po ashtu edhe “Topin e Artë” të turneut. Legjenda argjentinase e skaliti emrin e tij në librat e historisë me një dygolësh në finale kundër skuadrës së famshme holandeze.

Nuk ka dyshim se ai mund të kishte fituar “Topin e Artë” nëse nuk do të kishte kriteret e pranimit në atë kohë.

#4 Romario

Një nga sulmuesit më të mëdhenj të ardhur nga Brazili, Romario u bekua me aftësi të shkëlqyera driblimi dhe përfundimi të rasteve. Golat e tij në PSV Eindhoven dhe Barcelonë, ​​duke demonstruar së është një nga më të mirët e epokës së tij.

Romario ishte vendimtar për titullin e katërt të Brazilit në Kupën e Botës në 1994. Braziliani legjendar shënoi pesë gola në atë turne, duke fituar “Topin e Artë” për paraqitjet e tij madhështore. Në vitin 1994, Romario gjithashtu pati një sezon të shkëlqyer me Barcelonën. Për arritjet e tij të bujshme, ai u zgjodh Lojtari Botëror i Vitit nga FIFA.

Braziliani i madh ka shënuar 55 gola për kombin e tij përpara se të varte këpucët. Nuk ka asnjë dyshim se ai e meritonte të fitonte një Top të Artë.

#3 Garrincha

Garrincha la një trashëgimi të pabesueshme në historinë e sportit. Garrincha ishte pjesë integrale e ekipit të madh brazilian në vitet 1950 dhe 1960, duke ndihmuar kombin e tij të dominojë skenën botërore në një mënyrë të paprecedentë.

Ai ishte një lojtar i mrekullueshëm që i kishte të gjitha – teknikën, dhuntinë, hirin, driblimin – midis tipareve të tjera të dukshme. Sulmuesi legjendar ka lindur me defekte natyrale në trupin e tij, gjë që e bën atë edhe më të frikshëm kur mendojmë për lojtarin që ai ishte.

Garrincha, një bashkatdhetar i një tjetër braziliani të madh, shpesh mbeti në hije nga ylli i shokut të tij të skuadrës, Pele. Megjithatë, ai ishte ylli i padiskutueshëm i ekipit brazilian në vitin 1962.

Ai ishte lojtari i parë në histori që fitoi “Këpucën e Artë”, “Topin e Artë” dhe Kupën e Botës në të njëjtin turne. Fituesi i “Topit të Artë” të vitit 1962, Josef Masopust, nuk ishte aspak pranë arritjeve të brazilianit.

#2 Diego Maradona

I konsideruar gjerësisht si një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Diego Maradona ishte një forcë e natyrës. Ndikimi i tij në lojë e bëri atë të pavdekshëm me personalitetin e tij revolucionar në fushë duke grumbulluar popullaritet të madh në Argjentinë. Ato që bëri legjenda argjentinase në vitin 1986 janë gdhendur në folklorin e futbollit, duke e bërë çmimin e “Topit të Artë” të duket si një nder i pamjaftueshëm për legjendën.

Maradona i mori gjërat në duart e tij në Kupën e Botës 1986. Ai shënoi pesë gola, duke përfshirë golin më të madh në historinë e Kupës së Botës kundër Anglisë. Ato që ai bëri e ndihmuan Argjentinën të fitonte Kupën e Botës së dytë në histori.

Igor Belanov ishte fituesi i “Topit të Artë” në vitin 1986, por ai nuk ishte aspak afër kalibrit të Maradonës. Maradona iu dha një çmim nderi “Topi i Artë” në vitin 1995.

#1 Pele

Pele do të jetë gjithmonë një emër kumbues në debatin se kush është futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Braziliani legjendar është superylli i parë i futbollit, me rekordet e tij që ende i bëjnë jehonë shumë dekada pas pensionimit të tij.

Pele, siç duket nga rekordi i tij i madh i golave, ishte një golashënues klinik. Me mbi 1000 gola në emër të tij, Pele mbetet i paarritshëm. Ai udhëhoqi Brazilin drejt tre triumfeve të Kupës së Botës dhe është lojtari i vetëm në histori që është pjesë e tre skuadrave fituese të Kupës së Botës.

Pele iu dha një çmim nderi “Topi i Artë” në vitin 2013, por braziliani mund të kishte grumbulluar shumë Topa të Artë gjatë kohës së tij.

Sipas rivlerësimit të France Football, Pele mund të kishte fituar deri në shtatë Topa të Artë, nëse do të kishte të drejtë të ishe pjesë e listës. /Telegrafi/

Exit mobile version