Një prej problemeve më të mëdha me të cilin po përballet shoqëria moderne amerikane, janë të shtënat nëpër shkolla.
Kritikët e rregullave liberale amerikane sa i përket posedimit të armëve, konsiderojnë se qasja e lehtë në armë është shkaktari dhe “fajtori” kryesor për sulmet që po ndodhin nëpër shkolla, transmeton Telegrafi.
E sulmi më vdekjeprurës që kishte ndodhur në SHBA, është ai i 18 majit të vitit 1927, kur Andrew Kehoe me vënien dhe aktivizimin e një bombe, kishte vrarë 38 nxënës dhe gjashtë të rriturve në një shkolle fillore në Bath Toënship të Michigan.
Pas kësaj Kehoe vrau edhe gruan e vet, i vuri flakën fermës dhe krejt në fund kreu vetëvrasje – duke aktivizuar një bombë brenda veturës.
Seung Hiu Cho, i lindur në Korenë e Jugut kreu sulmin më 16 prill të vitit 2007 në Universitetin Virginia Tech, ku vrau 32 persona dhe plagosi 17 tjerë.
Konsiderohet si sulmi më vdekjeprurës i këtij lloji në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara. Cho kishte kryer vetëvrasje pasi që policia ishte futur në ndërtesën ku ai ishte barrikaduar.
Adam Lanz, 20-vjeç, gjatë 14 shkurtit të vitit 2012 në shkollën fillore Sandy Hook në Connecticut, vrau 20 fëmijë të moshës nga 6 deri në 7-vjeç, sikurse edhe gjashtë tjerë të rritur që ishin punonjës të shkollës. Sulmin e filloi pasi vrau të ëmën e pas sulmit masiv – kreu vetëvrasje
E vrasjet e djeshme në shkollën fillore Robb në jug të Teksasit, janë të katërtat më vdekjeprurëse në historinë amerikane. Salvador Ramos, 18-vjeç, vrau 19 nxënës dhe dy të rritur. Megjithatë edhe ai e pësoi me jetë pas intervenimit të policisë.
Në shkollën Marjory Stoneman Douglas, 19-vjeçari Nicolas Cruz vrau 17 persona dhe plagosi 17 tjerë. Cruz ishte ish-nxënës i kësaj shkolle. Pas kryerjes së sulmit u largua nga shkolla megjithatë u arrestua një orë më vonë në Coral Springs. Gjykimi i tij pritet të fillojë më 27 qershor të këtij viti. /Telegrafi/