Klubet e mëdha në të gjithë Evropën janë në alarm të kuq shkaku që kanë dëgjuar për disponueshmërinë e mundshme të mesfushorit të Barcelonës, Frenkie De Jong.
Pas zhgënjimit të trajnerit të ri Xavi, De Jong mund të sakrifikohet në afatin kalimtar të janarit për të rritur buxhetin e Barçës për transferime të reja.
Shitja e mesfushorit holandez do të sillte të ardhura të mira për klubin nga Camp Nou dhe situata e tij ka alarmuar klubet e mëdha në të gjithë Evropën.
Sipas gazetës katalunase Sport, të paktën pesë klube të mëdha kanë qenë në kontakt me presidentin e Barçës, Joan Laporta, për të regjistruar interesimin e tyre.
Paris Saint-Germain, Manchester United, Manchester City, Chelsea dhe Bayern Munich janë të gjithë në kontakt me presidentin për shërbimet e De Jongut.
Është interesante se menaxheri i Cityt, Pep Guardiola dhe drejtori sportiv Txiki Begiristain ishin dje në Barcelonë për ceremoninë e pensionimit të Sergio Agueros. /Telegrafi/