Tottenham Hotspur e ka mposhtur Real Madridin me rezultat 1-0 në miqësoren parasezonale në kuadër të ‘Audi Cup’, ndërsa Sportsmail ka bërë listën me pesë gjërat që i mësuam nga kjo ndeshje.
Ky nuk është Reali i vërtetë
Reali nuk duket si Reali i vërtetë. Tottenhami thuajse luajti më mirë gjatë gjithë sfidës dhe lojtarët vrapuan shumë më tepër. Derisa Luka Modric gjuante jashtë, Karim Benzema humbte shanse reale. Marcelo nuk ishte vetja dhe gabonte në momente kur nuk duhej.
Është e qartë se këto janë ndeshje parasezonale, mirëpo Zinedine Zidane ka shumë punë për të bërë që ta bëjë skuadrën të rrezikshme për periudhën zyrtare të sezonit.
Danny Rose mbetet i rëndësishëm për Spursat
Danny Rose nuk do të detyrohet të largohet nga Tottenhami. Ai i di vlerat e tij dhe do të largohet vetëm nëse vjen një ofertë e duhur për të. Ai bëri paraqitje të mirë në krahun e majtë të mbrojtjes duke ia pamundësuar Realit të shënonte.
Pochettino ia ka lënë derën hapur ose të qëndrojë ose të largohet, nëse ndodh kjo e dyta, atëherë duhet të gjejë një lojtar të mirë në pozitën e tij para mbylljes së afatit kalimtar veror.
Hazardi ‘i rëndë’
Sipas mediave spanjolle, Eden Hazard arriti në Madrid me gjashtë kilogramë mbipeshë pas transferimit shumëmilionësh nga Chelsea. Ndërsa në këto ndeshje parasezonale nuk ka arritur të tregojë sa duhet.
Belgu duhet të qëndrojë larg mishit dhe birrave, për të cilat është i njohur kryeqyteti i Spanjës, në mënyrë që ta riktheje peshën optimale dhe formën e tij para fillimit të sezonit zyrtar.
Reali jo i rrezikshëm pa Bale
Me gjithë kritikat që i ka marrë, kur Gareth Bale nuk është në skuadër, Reali nuk duket i rrezikshëm. Los Blancos kishin mungesë intensiteti në krahun e majtë, ashtu që Juan Foyth i Tottenhamit (që ishte konvertuar në mbrojtës të djathtë) nuk pati presion në pozitën e tij të re.
Dashuria për Kane po shtohet
Hajmalia e Tottenhamit, Harry Kane, admirohet nga tifozët e klubit dhe të vendit, dhe padyshim se pëlqehet edhe nga shumë futbolldashës të tjerë.
Pasi shënoi për Spursat dhe dukej i mprehtë gjatë lojës, ai u zëvendësua në minutën e 65-të duke nxitur brohoritje dhe duartrokitje në tribunat e Allianz Arenas. Të gjithë e njohin një lojtar të mirë kur e shohin në ndeshje të këtilla. /Telegrafi/