Site icon Telegrafi

Pesë fjalët e Zelenskyt për t’i shkaktuar frikë Putinit – përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka lëshuar një paralajmërim për armikun e tij Vladimir Putin ndërsa tha: “Raketat do të flasin vetë”.

Dhe këto pesë fjalë të tij erdhën pasi Uashingtoni ka dhënë leje që raketat amerikane të përdoren për të goditur brenda territorit rus për herë të parë, shkruan The Sun, përcjell Telegrafi.

Joe Biden ka refuzuar prej kohësh lutjet e liderit ukrainas Zelensky që armët e furnizuara nga Perëndimi të përdoren në terrenin rus – nga frika e një përshkallëzimi në luftë.

Por kuptohet se presidenti amerikan ka dhënë dritën jeshile vetëm dy muaj para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, shkruan më tej The Sun.

Raketat ATACMS të furnizuara nga Amerika mund të përdoren fillimisht kundër trupave ruse dhe koreano-veriore në Kursk përpara se të përdoren kundër objektivave të tjerë.

Zelensky tha: “Po flitet shumë në media se ne kemi marrë leje për veprimet përkatëse”.

“Por goditjet nuk kryhen me fjalë… Raketat do të flasin vetë”.

Dhe sipas mediumit britanik, zyrtarët amerikanë të paidentifikuar thanë se Kievi ka në plan të kryejë sulmet e para me rreze të gjatë në ditët në vijim.

Por me Donald Trump që do të marrë postin president pas dy muajsh, është e paqartë nëse ai do të mbështesë politikën e paraardhësit të tij.

Putin, lufta e të cilit në ngecje është pothuajse në kufirin e tri viteve, paralajmëroi më parë se lejimi i Ukrainës që të lëshojë armë të furnizuara nga perëndimi në Rusi, do ta tërhiqte NATO-n në konflikt të drejtpërdrejtë.

Madje Moska këmbënguli se SHBA-ja ka ndërmarrë “një hap shumë të madh drejt fillimit të Luftës së Tretë Botërore” me dhënien e miratimit Ukrainës. /Telegrafi/

Exit mobile version