Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai i Bashkimit Evropian, këshilltarët për Politikë të Jashtme të presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë dhe kryeministrit të Italisë do të jenë të premten për vizitë në Kosovë, në përpjekje të intensifikimit të dialogut Kosovë-Serbi.
Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Stano në një deklaratë për media theksoi se i dërguari i BE-së për lehtësimin e dialogut, Miroslav Lajçak të premten do të jetë për vizitë në Kosovë, ku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.
Ai tha se pas takimit me Kurtin, Lajçak do të udhëtojë edhe për në Serbi, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Me të vërtetë emisari i BE-së, Miroslav Lajçak do të udhëtojë në rajon, do të vizitojë këtë të premte Kosovën, ku do të takohet në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti dhe më pas Serbinë, ku në Beograd do të takohet me presidentin serb Vuçiq në përpjekje për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi dhe hapat e ardhshëm në normalizimin e raporteve…”, tha Stano.
Zëdhënësi i BE-së po ashtu bëri të ditur se Lajçak në këtë vizitë në Prishtinë do të jetë i shoqëruar nga emisari amerikan, Gabriel Escobar, këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman, presidentit francez dhe kryeministrit italian. /Telegrafi/