Site icon Telegrafi

Pesë arsye pse Putini mund të mos tentojë të pushtojë Ukrainën

Rusia ka vendosur më shumë se dy të tretat e kapaciteteve të saj luftarake ushtarake brenda distancës goditëse nga kufijtë e Ukrainës.

Dhe sipas një shkrimi të BBC, 30,000 trupat e saj që supozohej të tërhiqeshin nga Bjellorusia fqinje në fundjavë janë ende atje.

Veç kësaj, përcjell Telegrafi, dhuna është duke u ndezur në dy republikat separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën Lindore.

Kërkesat e Rusisë nga NATO mbeten të paplotësuara dhe diplomacia deri më tani nuk ka arritur të sjellë ndonjë tërheqje të konsiderueshme të forcave ruse.

Ndërkohë, liderët perëndimorë dhe shefat e tyre të inteligjencës kanë dhënë alarmin, duke pohuar se presidenti Putin ka dhënë tashmë urdhrin për të pushtuar Ukrainën.

E megjithatë, ka arsye për të besuar se një pushtim i plotë rus i Ukrainës mund të mos ndodhë, vlerëson BBC, përcjell Telegrafi.

Ja disa prej tyre:

1. Do të ketë gjakderdhje

Ukraina do të rezistojë, të paktën fillimisht. Forcat e saj janë shumë më të pakta dhe të armatosura nga ato të Rusisë, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë viktima të shumta nga të dyja palët.

Nëse Moska do të ndërmerrte një pushtim në shkallë të plotë, duke pushtuar me forcë qytetet kryesore të Kievit, Kharkivit dhe Odessa-s, atëherë kjo mund të përfshijë luftime të zgjatura dhe të kushtueshme në rrugë ku ukrainasit do të ishin në terren.

2. Nuk do të jetë “i mbështetur” në vendin e tij

Një sondazh i kohëve të fundit me të rinjtë rusë zbuloi se shumica ishin kundër zhvillimit të luftës kundër fqinjit të tyre sllav.

Perspektiva që një numër i madh i rusëve dhe ukrainasve të vdesin në një luftë “për shkak të dëshirës së Vladimir Putinit” dhe kthimi i rusëve në shtëpi në arkivole nuk do të ishte një lëvizje e mbështetur në Rusi.

3. Sanksionet perëndimore do të shkaktojnë dëme

Se sa thellë do të shkojnë sanksionet perëndimore që tanimë janë përmendur disa herë, sipas të gjitha gjasave, do të varet nga sa thellë futet Rusia në Ukrainë.

Përderisa liderët perëndimorë flasin për unanimitetin e NATO-s, realiteti është se Gjermania dhe Hungaria, për shembull, të cilat varen në një pjesë të madhe nga gazi rus, nuk janë aq të ashpër sa Britania e Madhe.

Por sanksionet do të dëmtojnë akoma ekonominë ruse.

4. Do të ketë një kosto të lartë politike

Kur Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë në vitin 2014, ajo u bë një “vend i dëbuar ndërkombëtarisht” për vite me radhë. E njëjta gjë do të ndodhte edhe këtë herë, vetëm më keq.

Madje, siç vë në pah BBC, përcjell Telegrafi, edhe Kina, një aleate strategjike e Rusisë, ka paralajmëruar me ministrin e saj të Jashtëm Wang Yi duke thënë në Konferencën e Sigurisë në Mynih: “Sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i çdo vendi duhet të ruhen. Ukraina nuk bën përjashtim”.

Dhe senatori amerikan Chris Murphy beson se ndryshe nga ajo që duket, Putini është në një pozitë shumë të dobët dhe “një pushtim potencialisht katastrofik i Ukrainës do të ishte zgjidhja e tij e fundit”.

Ai beson se pas vitit 2013, populli i Ukrainës e bëri të qartë se nuk dëshironte të ishte më në orbitën e Rusisë dhe detyrimi i tyre me një luftë të kushtueshme do të shkatërronte ekonominë ruse dhe ndoshta edhe do të rrëzonte nga pushtetin presidentin Putin.

5. Putini e ka bërë të qartë tashmë “qëllimin e tij”

Moska tani ka tërhequr vëmendjen e Perëndimit kur bëhet fjalë për “padrejtësitë e perceptuara të rendit të sigurisë të pas Luftës së Ftohtë në Evropë”.

Nga këndvështrimi i Putinit, NATO-ja “nuk e ka mbajtur fjalën” që të mos zgjerohet drejt lindjes drejt kufijve të Rusisë.

Jo vetëm që tre republikat baltike (të gjitha ish-Republikat Socialiste Sovjetike) Polonia dhe vendet e tjera të ish-Traktatit të Varshavës i janë bashkuar të gjitha NATO-s, por tani perspektiva që Ukraina fqinje të bëjë të njëjtën gjë është e tepërt për Moskën.

Dhe Putini dëshiron që kjo të ndryshojë ose “shpata e një pushtimi rus do të mbetet përgjithmonë mbi Ukrainë”.

“Ai dëshiron të negociojë një marrëveshje të re sigurie, por nga një pozicion i fortë”, thotë Ghanem Nuseibeg, një ekspert në Harvard. “Në një farë mënyre ai tashmë e ka arritur pjesërisht me Macron, duke folur për një rend të ri sigurie”.

Sidoqoftë, pavarësisht arsyeve “kundër”, janë edhe disa arsye shumë bindëse për të besuar se një pushtim rus do të ndodhë, dhe menjëherë, edhe nëse do të kufizohet vetëm në dy republikat e shkëputura ndërkombëtarisht të panjohura në lindje të Ukrainës.

Kjo pasi që, madhësia, shkalla dhe natyra e vendosjes ushtarake të Rusisë shkojnë shumë përtej nevojave të një stërvitjeje normale ushtarake.

Veç kësaj, dy kërkesat thelbësore të Moskës për Perëndimin mbeten të paplotësuara, domethënë një premtim se Ukraina nuk do të lejohet kurrë të bashkohet me NATO-n dhe se aleanca perëndimore të tërheqë të gjitha forcat e saj nga vendet që iu bashkuan NATO-s pas vitit 1997.

Në fund të fundit, Kremlini e ka bërë të qartë se nuk mund të tolerojë që fqinji i tij gjigant, sllavishtfolës Ukraina të jetë fort në kampin perëndimor, duke u bërë pjesë e NATO-s dhe BE-së.

Kështu, presidenti Putin e ka bërë të qartë me veprimet e tij deri më tani se ai do të bëjë gjithçka që duhet për të ndaluar që kjo të ndodhë. /Telegrafi/

Exit mobile version