Site icon Telegrafi

Pesë arsye pse ekonomia e Kinës është në telashe të mëdha

Ekonomia e Kinës së fundi po ec me ritëm më të ngadalshëm, teksa po adaptohet me strategjinë ndëshkuese të zero rasteve me COVID-19 dhe uljes së kërkesës botërore.

dhënat zyrtare për rritjen ekonomike, nga korriku deri në shtator, nuk kanë dalë ende, mirëpo nëse ekonomia e këtij shteti përballet me tkurrje, diçka e tillë rrit mundësitë për recesion botëror.

Synimi i Pekinit – për rritje vjetore prej 5.5 për qind – ka pak mundësi që të përmbushet, ndonëse zyrtarët kinezë veçse e kanë minimizuar nevojën e arritjes së diçkaje të tillë. Kina mezi i ka ikur tkurrjes edhe në çerekun prill-qershor. Këtë vit, ekonomistët kanë thënë se nuk presin ndonjë rritje.

Kina mund të mos jetë duke u përballur me inflacion të madh sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, mirëpo ka probleme tjera – fabrika e botës ka më pak konsumatorë, si brenda, ashtu edhe jashtë shtetit. Tensionet tregtare ndërmjet Kinës dhe ekonomive më të mëdha, sikurse me atë të SHBA-së, janë duke dëmtuar po ashtu rritjen ekonomike.

Yuan kinez është duke përjetuar zhvlerësimin më të madh në dekada kundrejt dollarit amerikan. Një valutë më e dobët, nënkupton më shumë paqartësi në tregjet financiare. Një situatë e tillë ia vështirëson punën edhe bankës qendrore që të gjenerojë më shumë para në ekonomi.

E gjitha po ndodh në një kohë sfiduese, sidomos për presidentin kinez Xi Jinping. Ai pritet të sigurojë një mandat të tretë qeverisës në Kongresin e Partisë Komuniste (PPK), i cili nis më 16 tetor.

Strategjia e zero rasteve me COVID-19 po bën kërdinë

Shpërthimet e Coronavirusit në disa qytete, duke përfshirë edhe qendrat prodhuese sikurse Shenzhen dhe Tianjin, e kanë dëmtuar aktivitetin ekonomik në gjithë industritë. Njerëzit, po ashtu, nuk janë duke shpenzuar shumë të holla në gjërat sikurse ushqimi, pijet, turizmi, prandaj shumë shërbime të mëdha janë nën presion.

Sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave, aktiviteti i fabrikave duket se është rritur sërish në shtator. Rikthimi i aktivitetit mund të jetë bërë sepse Qeveria është duke shpenzuar më shumë në infrastrukturë. Mirëpo, kërkesa është duke rënë edhe në SHBA, për shkak të normave të interesit, inflacionit dhe luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ekspertët pajtohen që Pekini mund të bëjë më shumë për të stimuluar ekonominë, mirëpo ekzistojnë pak arsye për të vepruar kështu derisa t’i jepet fund strategjisë së zero rasteve me COVID-19.

“Nuk ka shumë kuptim që të hedhim para në ekonominë tonë, nëse bizneset nuk mund të zgjerohen dhe nëse njerëzit nuk mund të shpenzojnë paratë e tyre”, ka thënë Louis Kuijs, shef i ekonomisë në Departamentin për Azi në S&P Global Ratings.

Pekini nuk po bën mjaftueshëm

Pekini ka vepruar një herë. Në muajin gusht, autoritetet kineze kanë ndarë 203 miliardë dollarë për të rritur bizneset e vogla, infrastrukturën dhe pronat. Mirëpo, zyrtarët besohet se mund të bëjnë më shumë për të nxitur rritjen dhe që të krijojnë vende pune.

Aty përfshihet investimi në infrastrukturë, lehtësimi i kushteve të huasë për blerësit e shtëpive, për zhvilluesit e pronave, qeveritë lokale, si dhe të ulë taksat për ekonomitë familjare.

“Përgjigja e Qeverisë ndaj dobësimit të ekonomisë ka qenë goxha modeste, në krahasim me atë që kemi parë në të kaluarën kur ka pasur ulje ekonomike”, ka thënë Kuijs.

Tregu i pronave është në krizë

Aktiviteti i ulët i shitjes së patundshmërisë dhe atmosfera negative në këtë sektor, kanë ndikuar pa dyshim në rritjen ekonomike. Kjo situatë ka goditur rëndë ekonominë dhe industritë tjera që formojnë një të tretën e Bruto Prodhimit të Brendshëm (GDP).

“Kur atmosfera nuk është e mirë në tregun e patundshmërisë, kjo gjë i bën njerëzit të ndihen të pasigurt për situatën e përgjithshme ekonomike”, shprehet Kuijs.

Blerësit e shtëpive kanë refuzuar të marrin para për t’i blerë ato apo për të përfunduar ndërtimet. Disa, madje, dyshojnë që ndërtimi i shtëpive të tyre mund të finalizohet ndonjëherë.

Kërkesa është e ulët për shtëpitë e reja dhe kjo gjë ka ulur nevojën për import të materialeve ndërtimore. Pavarësisht përpjekjeve të Pekinit për forcuar tregun e patundshmërisë, çmimet në dhjetëra qytete kanë rënë për më shumë se 20 për qind. Me një presion të tillë, analistët besojnë se autoritetet mund të bëjnë më shumë për të rikthyer besimin në tregun e patundshmërisë.

Ndryshimet klimatike janë duke e përkeqësuar situatën

Moti ekstrem ka nisur të ketë ndikim edhe në industritë e Kinës. Moti i nxehtë ekstrem, i përcjellë nga thatësia, ka goditur provincën Siçuan dhe qytetin Çongqing në mesin e muajit gusht. Për pasojë është rritur kërkesa për kondicionerë.

Rrjeti energjetik më pas është ngarkuar dhe gati i gjithë rajoni është varur nga energjia e hidrocentraleve. Fabrikat, përfshirë prodhuesit e mëdhenj sikurse Foxconn që prodhojnë iPhone dhe Tesla, janë detyruar që të zvogëlojnë orarin e punës dhe pas një kohe edhe të mbyllen.

Byroja e Statistikave e Kinës ka thënë në muajin gusht se përfitimet nga industria e hekurit dhe çelikut kanë rënë për më shumë se 80 për qind brenda shtatë muajve, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Pas përkeqësimit të situatës, Pekini ka ndarë dhjetëra miliarda dollarë për të mbështetur kompanitë e energjisë dhe bujqit.

Titanët kinezë të teknologjisë janë duke i humbur investitorët

Një goditje e rregullatorëve ndaj titanëve teknologjikë të Kinës – e cila tashmë ka zgjatur më shumë se dy vjet – nuk është duke ndihmuar. Tencent dhe Alibaba kanë raportuar rënien e parë të të ardhurave në çerekun e fundit – fitimet e Tencentit kanë rënë për 50 për qind, derisa të hyrat e Alibabas kanë rënë përgjysmë.

Dhjetëra mijëra punëtorë të rinj i kanë humbur vendet e punës. Kjo ka rritur krizën pasi një në pesë njerëz të moshave 16-24 vjeç është i papunë. Një gjë e tillë mund të dëmtojë produktivitetin e Kinës dhe rritjen në periudhë afatgjatë.

Investitorët nuk kanë ndjesi të mira as për Pekinin – disa prej kompanive private më të suksesshme të Kinës janë duke e ndier secilën herë e më shumë vëzhgimin nga ana e pushtetit, sidomos prej kur Xi është në krye të shtetit.

Meqë kompanitë që janë pronë e shtetit janë duke u favorizuar, investitorët e huaj po ikin. Banka japoneze Softbank ka tërhequr sasi të mëdha parash nga Alibaba. Tencent, po ashtu, ka tërhequr mbrapsht investimet në vlerë të 7 miliardë dollarëve në gjysmën e dytë të këtij viti.

SHBA-ja në anën tjetër janë duke rritur presionin ndaj kompanive që kanë aksione në tregjet amerikane.

“Disa vendime për investime janë duke u shtyrë, disa kompani të huaja janë duke synuar që të zgjerojnë prodhimin në shtetet tjera”, ka thënë S&P Global Ratings, në një vlerësim të fundit.

Bota po mësohet me faktin se Pekini mund të mos jetë edhe aq i hapur për biznes, siç ka qenë dikur – mirëpo në mënyrë, Xi është duke rrezikuar suksesin ekonomik që e ka forcuar Kinën në nivel botëror. /REL/Telegrafi/

Exit mobile version