Site icon Telegrafi

Përzgjedhësi Sylvinho dhe kapiteni Gjimshiti u pyetën për dënimin e Mirlind Dakut nga UEFA

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, është pezulluar me dy ndeshje nga UEFA dhe për këtë gjë janë pyetur në konferencë edhe përzgjedhësi Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti.    

Daku sot është njoftuar me vendimin, ndërsa kjo ka bërë në mediat botërore, pasi është lojtari i parë që pezullohet.

Sulmuesi i Rubin Kazan mori një megafon pas ndeshjes me Kroacinë (2-2), ku edhe debutoi, duke ofenduar maqedonasit dhe serbët.

Fillimisht u pyet kapiteni Berat Gjimshiti për këtë gjë, i cili foli shkurt, duke thënë se sulmuesi ka kërkuar falje për gabimin, duke e kthyer përgjigjen kah ndeshja me Spanjën.

“Duhet të fokusohemi në ndeshjen e nesërme. Daku ka bërë gabim dhe ka kërkuar falje. Ne do të kemi kundërshtar të vështirë nesër dhe vetëm për këtë do mendojmë”, deklaroi Gjimishit.

Edhe Sylvinho ishte i prerë, duke deklaruar se në EURO 2024 janë për futboll dhe jo diçka tjetër.

“Sikurse tha edhe Gjimshiti, jemi këtu për të luajtur futboll në një eveniment brilant, duhet të flasim për futboll. Nuk duam të shpenzojmë energji për diçka tjetër. Çfarëdo që ka vendosur UEFA është punë e saj”, nënvizoi Sylvinho.

Daku do të mungojë ndaj Spanjës dhe në rast se Shqipëria kalon tutje, edhe në ndeshjen e 1/16-tës. /Telegrafi/ 

Exit mobile version