Trajneri i kombëtares së SHBA-së, Gregg Berhalter u tregua mjaft diplomatik kur u pyet për të parashikuar rezultatin e derbit mes Milanit dhe Juventusit, duke insistuar se lojtarët e tij janë të lumtur me jetën në Itali.
Katër lojtarë amerikan do të përfshihen në kryendeshjen e së dielës me nga dy në secilin ekip. Christian Pulisic dhe Yunus Musah tek Milan dhe Timothy Weah dhe Weston McKennie tek Juventusi.
E diela mund të jetë dita kur për herë të parë katër lojtarë amerikan paraqiten në të njëjtën ndeshje në Serie A.
“Unë do të shpresoj për një rezultat 2-2 me golat nga Pulisic, Musah, Weah dhe McKennie”, ka thënë Berhalter me shaka në një intervistë së fundmi për Gazzetta dello Sport.
Berhalter i ka thënë La Gazzetta-s se kishte kujtime të bukura duke parë lojtarë si Antonio Cabrini, Franco Baresi dhe Paolo Maldini ndërsa rritej në New Jersey.
Ai tha gjithashtu se të kesh katër përfaqësues të SHBA-ve në një ndeshje të profilit kaq të lartë, është dëshmi e përparimit që ka bërë futbolli në anën tjetër të Atlantikut.
Pulisic, ylli amerikan, ka shijuar një fillim të mirë të aventurës në “San Siro”, duke kontribuar me katër gola në tetë paraqitjet e tij të para në Serie A që nga nënshkrimi nga Chelsea në verë.
Kur u pyet nëse Pulisic po kënaqej, Berhalter u përgjigj: “Shumë, por Musah dhe McKennie më thanë gjithashtu se janë të lumtur në Itali”.
“Christian është i padiskutueshëm për sa i përket talentit, si dhe karakterit dhe aftësisë së tij taktike. Në Milan dhe me Piolin, ai ka gjetur besimin për të arritur në krye”, u shpreh 50-vjeçari.
“Ai mbron, sulmon, driblon. Është një top lojtar dhe jam i sigurt se do të bëhet edhe më i kompletuar në Itali”.
Më pas i pyetur për tre përfaqësuesit e tjerë të SHBA-së në ndeshjen Milan-Juve, Berhalter tha: “Tim Weah është miku i të gjithëve. McKennie është më qesharak dhe pastaj është Musah, ngrohtësinë e të cilit e ndjejnë të gjithë”.
“Musah është një karakter shumë i fortë dhe ai nuk të lë kurrë vetëm. Ai është një mesfushor i kompletuar, dinamik dhe i gjithanshëm”, përfundoi Berhalter./Telegrafi/