Telegrafi

Përzgjedhësi i Kosovës, Challandes: Muriqi sikur Lukaku, shpresoj të shkojë te Lazio

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ka dhënë një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, ku e ka krahasuar Vedat Muriqin me sulmuesin e Interit, Romelu Lukaku.

Challandes ka folur me fjalë të mëdha për gjigantin e sulmit të Fenerbahçes, pas fjalëve se ai do të kalojë në Serie A te Lazion.

“Shpresoj të nënshkruajë te Lazio. Do të ishte një transferim i mirë. Do ishim edhe ne si përfaqësuese. Muriqi është ndryshe nga Immobile, por nga stili i lojës të kujton Romelu Lukakun”.

“Po flasim për dy nivele të ndryshme sulmuesish, por është asi tip lojtari. Lojtar fizik, gjithnjë i rrezikshëm, e mbron mirë topin në pronësi, mundëson skuadrën të dalë përpara”.

“Në mënyrë metaforike, ai i lëvizë edhe bjeshkët me fuqinë e tij. E shoh mirë në sulm me Correan. Argjentinasi i sillet vërdallë me top dhe ai përkujdeset t’i tërheqë lojtarët kundërshtarë”, ka thënë Challandes.

Muriqi tash e disa muaj po kërkohet nga skuadra të mëdha evropiane, ndërsa është folur shumë për një marrëveshje me Lazion.

Ai në edicionin e fundit shënoi 17 gola dhe pati 7 asistime, ndërsa me Kosovën në 23 ndeshje ka realizuar 8 gola. /Telegrafi/