Site icon Telegrafi

Përurohet pllaka përkujtimore për policin Enver Zymeri – flamuri i Kosovës vendoset në vendin ku ai u vra

13 vite më parë, Njësia Speciale e Kosovës e njohur si ROSU kishte ndërmarrë një aksion për vënien në kontroll të pikave kufitare në veri, Jarinjë dhe Bërnjak.

Gjatë këtij aksioni policia hasi në pengesat e serbëve në veri, ku si pasojë edhe u vra polici Enver Zymeri.

E sot pikërisht në vendin ku u vra polici Zymeri është përuruar një pllakë përkujtimore në nder të tij.

Në përurimin e kësaj pllake mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Së bashku me Kurtin ishin edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla dhe familjarët e policit të ndjerë.

Kryeministri Kurti ka thënë se vizitën në veri sot e filloi në Komunën e Leposaviqit, me ç’rast ka bashkëbiseduar me këshilltarët komunalë dhe zyrtarët e kësaj komune.

Kreu i ekzekutivit tutje tha se në këtë vizitë kërkoj “bashkëpunim me ta pa privilegje e pa diskriminime”, në mënyrë që nga ky bashkëbisedim, siç tha Kurti, të dalin idetë lidhur me ankesat e mundshme që i kanë se si mund të bëjmë edhe më shumë edhe më mirë.

“Prej komunës së Leposaviqit, e vizitova edhe vendin ku ka rënë heroi i Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku, te ajo ura ku u pat vendos ajo barrikada me maune që i kishin vendosur ata paramilitarët terroristë e kriminelë që mandej ikën. Prej komunës së Zveçanit ishim edhe në Zubin Potok, me ç’rast në komunë vizituam agjencinë e regjistrimit civil dhe aty bashkëbiseduam me zyrtarët sa i përket regjistrimit civil, por në një zyrë tjetër ishin edhe ata për regjistrimin e automjeteve.

Para se të shkojmë në Mitrovicë të Veriut, këtu e përuruam me drejtorin, ministrin, djalin e Enver Zymerit lapidarin kushtuar heroit të Kosovës, i cili me datën 3 prill, sivjet do të ishte 45 vjeç, mirëpo siç e dimë, në korrik të vitit 2011 ai u pat vra dhe në këtë vend ku ka rënë heroikisht tash e kemi lapidarin dhe flamurin e shtetit”, ka shtuar Kurti.

Në vendin ku është vendosur kjo pllakë është vendosur edhe flamuri i Kosovës e po ashtu edhe kamerat e sigurisë. /Telegrafi/

Exit mobile version