Telegrafi

Përurohet në Podujevë shtatorja e presidentit historik, Ibrahim Rugova

Në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut është zbuluar shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë.

Përveç qytetarëve të shumtë, në zbulimin e kësaj shtatore morën pjesë edhe krerët e shtetit.

Presidentja Vjosa Osmani tha se shtatorja e ish-presidentit Rugova nuk është vetëm një monument prej bronzi, por testament i idealeve për të cilat ai punoi deri në vdekje siç u shpreh ajo për një Kosovën të lirë, të pavarur dhe demokratike.

Ajo potencoi se në këtë datë historike, me inaugurimin e kësaj shtatoreje po nderohet kujtimi për siç e quan ajo udhëheqësin e madh Ibrahim Rugova, për çka tha se orientoi Kosovën drejt vizionit euroatlantik dhe solli vëmendjen e gjithë botës demokratike në Kosovë.

“Sot Rugova po i kthehet Llapit në Bronz duke u bërë banor i përhershëm i Podujevës. Shtatorja e presidentit Rugova po përjetësohet dhe përurohet në 7 shtatorin historik. Në të njëjtën datë, 34 vjet më parë u miratua Kushtetuta e Kaçanikut, një moment historik në udhëtimin e Kosovës për liri dhe pavarësi, për të cilën gjë tërë jetën ia kushtoi presidenti ynë historik. Shtatorja e presidentit Rugova nuk është vetëm një monument prej bronzi, por testament i idealeve për të cilat ai punoi deri në vdekje, për Kosovën të lire, të pavarur dhe demokratike. Prandaj sot po nderojmë kujtimin për udhëheqësin e madh, vizionarin e pa shoq, për njeriun i cili me guxim dhe mençuri e orientoi Kosovën drejt vizionit euroatlantik dhe solli vëmendjen e gjithë botës demokratike në Kosovë”, tha Osmani.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla tha se ish-presidenti Rugova si intelektual e idealist doli në ballë të lëvizjes për pavarësi në kohën kur po rrënohej liria dhe po rrezikohej rezistenca e popullit.

Gërvalla potencoi se Rugova me vizionin e tij dhe udhëheqjen e matur, Kosova jo vetëm që shpalli pavarësinë dhe filloi jetësimin e saj, por edhe i shpëtoi goditjes së planifikuar me dekada të nacionalizmit serb.

“Si intelektualë e idealistë kur po rrënohej liria dhe po rrezikohej rezistenca e popullit të tij, Ibrahim Rugova doli në ballë të lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës…Me vizionin e tij largpamës dhe udhëheqjen e tij të matur të mençur, që zgjoi mobilizim më të madh në historinë e shqiptarëve, për një rezistencë pa dhunë, por shumë aktive, Kosova jo vetëm që shpalli pavarësinë dhe filloi jetësimin e saj, por edhe i shpëtoi goditjes së planifikuar me dekada të nacionalizmit serb, goditje që do të ishte e përmasave ndoshta apokaliptike. Vizionit dhe parimeve Rugova u qëndroi besnik edhe në vitet 90-të, edhe gjatë luftës 98/99, por edhe pas saj, kur Kosova ishte çliruar”, potencoi Gërvalla.

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu tha se Rugova duke konsideruar si vlerë themelore dhe humane lirinë, arriti ta bënte atë. Ai tha se me kulturën dhe udhëheqjen e tij civilizues, Rugova u bë frymëzim dhe krenari për shqiptarët.

“Duke konsideruar lirinë si vlere themelore dhe humane, me guximin dhe artikulimin dhe veprimet botërisht kundër okupimit serb, presidenti Rugova lider i rezistencës aktive ua arriti lirinë shpirtërore shqiptarëve, lirinë vepruese duke e shndërruar në emblemë aktive i lëvizjes së përgjithshme politike dhe i rezistencës së popullit tonë… Me kulturën dhe udhëheqjen e tij civilizues, presidenti Rugova u bë frymëzim dhe krenari për shqiptarët. Sot në përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, këtu po inaugurojmë një monument që jep vlerësimin dhe respekt frymën e gjatë të rezistencës dhe luftës për liri të qytetarëve të Besianës dhe trevës heroike të Llapit”, tha Sejdiu.

Ndërkaq, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se zbulimi i shtatores së Rugovës është një kujtim i përjetshëm për njeriun që me urtësi, qëndresë dhe vizion udhëhoqi Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Sot është një ditë e veçantë për Podujevën dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. Në 34-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut një prej ngjarjeve më të ngritura të Kosovës, po nderojmë njërën nga figurat më të shquara të historisë sonë, presidentin profesor doktor Ibrahim Rugova… Ky monument që tash do të qëndrojë në Parkun e Qytetit të Podujevës është një përkujtim i përjetshëm për njeriun që me urtësi, qëndresë dhe vizion e udhëhoqi Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë”, tha Bulliqi.

Në një fjalë rasti, në emër të familjes Rugova, foli djali i ish presidentit Rugova, Ukë Rugova, i cili përgëzoi skulptorin Gëzim Muriqin për krijimin e kësaj shtatoreje, derisa tregoi edhe domethënien e pamjes së shtatores.

“Siç do të shihni pas zbulimit te shtatores sot, si gjithmonë skulptori Gëzim Muriqi ka paraqitur një pamje tjetër të presidentit Rugova. Po e ndërlidh pamjen e shtatores më një kujtojmë të mikut dhe bashkëpunëtorit të hershëm të presidentit Rugova, Nik Gjeloshi. Para disa javëve e përmendi gjatë një vizite në familje kështu siç vijon. ‘Në fillim të vitit 90’ kur presidenti Rugova vizitonte SHBA-të dhe vendet evropiane, ne si bashkëpunëtorë të tij gjithmonë e pyesnim, a do të mund ta përmendësh çështjen e statusit të Evropës pasi që ende ekzistonte federata e atëhershme jugosllave. Presidenti Rugova gjithmonë na përgjigjej se pa marrë parasysh nivelin e bisedave ‘unë Republikën gjithmonë e mbaj me vete në xhep’. Sa në rastësi këtë herë e ka paraqitur presidentin Rugova me një dorë në xhep të palltos”, tha Rugova.

Ndërkaq, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. /KP/