Telegrafi

Përurimi i objektit të ri të Ambasadës Amerikane në Kosovë përmes fotografive

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë festuar sot 243 vjetorin e pavarësisë.

E kjo festë është shënuar edhe në Kosovë në mënyra të ndryshme.

Në mesin e ngjarjeve të shumta që ishin organizuar ishte edhe përurimi i objektit të ri të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Në ceremoninë e përurimit  morën pjesë shumë përfaqësues të institucioneve vendore, të cilët falënderuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për përkrahjen e vazhdueshme që kanë për Kosovën.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pohuar se me ndërtesën e re të ambasadës amerikane në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëhen me shtëpi të re.

Thaçi, ka theksuar se shtëpi e vërtetë e çdo amerikani është në zemrën e çdo kosovari, duke shtuar se miqësia mes Kosovës dhe SHBA-së do të jetë e përjetshme.

Gjithashtu edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se sot Kosova ka festë sepse në kryeqytetin e saj po përurohet ndërtesa e re e Ambasadës se ShBA-së, si dëshmi që e mbanë të sigurt lidhjen e veçantë të Kosovës me Amerikën, transmeton Telegrafi.

Madje, kryeministri në përurimin e objektit të ri i ka dhuruar ambasadës së SHBA-së, Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, siç ka thënë ai deklarata paraqet vlerat më sublime që dy popujt tanë i ndajnë dhe i mbrojnë.

Pjesë e përurimit ishte edhe ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, po ashtu edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Që të dy u zotuan se SHBA do të jetë gjithmonë krahë për krahë Kosovës, transmeton Telegrafi.

Kongresisti Eliot Engel, në fjalimin e tij nuk hezitoi që ta shpreh edhe një herë dashurinë që ai ka për Kosovën.

Lexo po ashtu Kongresisti Eliot Engel: E dua Kosovën

“Është e mrekullueshme të jem pjesë e miqësisë së kosovarëve. Njerëzit e Kosovës kanë punuar shumë. E dua Kosovën, sot është një ëndërr e cila është bërë realitet.Faleminderit SHBA-ve që ishit me kosovarët me 1999-të”, ka thënë Engel.

Falënderues për ndërtimin objektit të ambasadës është shprehur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

“Është më shumë sesa vetëm një objekt i ndërtuar. Ne do të kemi hapësirë për të krijuar aktivitete të reja për të gjithë dhe të mirëseardhur janë nga të gjithë komunitetet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me Kosovën në se cilin rrugëtim ”, ka thënë Kosnett gjatë fjalimit të tij.

 

Ndërtimi i objektit të ri të ambasadës është bërë në hapësirën prej 5 hektarësh në lagjen “Arbëria” në kryeqytet, tokë kjo që i është dhënë ambasadës në shfrytëzim për 99 vjet.

Njëherësh kjo është ambasada më e madhe në Ballkanin Perëndimor./Telegrafi/