Telegrafi

Personi i cili u plagos nga polici në Prishtinë, vazhdon trajtimin në QKUK – policia tregon çka gjeti gjatë bastisjes në shtëpinë e tij

Policia e Kosovës gjatë një bastisje dje në Prishtinë ka hasur në rezistencë nga personi i dyshuar, i cili më pas ka pësuar lëndime si rezultat i plagosjes nga ana e një zyrtari policor.

Në raportin 24 orësh, policia ka njoftuar se i dyshuari është duke vazhduar trajtimin në QKUK.

Lexo po ashtu Bastisje në Prishtinë, polici në vetëmbrojtje qëllon me armë të dyshuarin

“Pas disa të shtënave me armë zjarri të raportuar më parë, policia me autorizimin e Prokurorit të Shtetit , ka bërë kontrollimin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të dyshuarit mashkull kosovar. I dyshuari ka kanosur me armë zjarri zyrtarët policorë duke ua kanosur jetën drejtpërdrejtë, me ç rast në vetëmbrojtje dhe për të vënë situatën nën kontrollë njëri nga zyrtarët ka përdorur armën ndaj të dyshuarit”, thuhet në raport.

Si dëshmi materiale janë sekuestruar: pesë pistoleta, një AK-47, 694 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, 58 gëzhoja dhe 4 predha.

I dyshuari është duke u trajtuar në QKUK dhe nën sigurimin e policisë.

Lexo po ashtu Në gjendje të rëndë shëndetësore personi i cili u plagos nga policia gjatë bastisjes në Prishtinë

Telegrafi dje ka raportuar se i dyshuari ishte dërguar në QKUK në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e plagëve të marra dhe se i njëjti i ishte nënshtruar operacionit.

“Ne e kemi futur menjëherë në sallën operative për ta reanimuar. Personi ka ardhur në gjendje shumë të rëndë në emergjencë. Kështu që në sallën operative janë duke punuar kirurgët me të. E theksoj se në sallën e operacionit e kemi futur në një gjendje tejet të rëndë”, ka deklaruar mjekja kujdestare, Dafina Basholli. /Telegrafi/