Site icon Telegrafi

Personat me aftësi të kufizuara në garën e 17 tetorit, flasin për sfidat e synimet e tyre

Për herë të parë në zgjedhjet lokale në Kosovë do të ketë më shumë persona me aftësi të kufizuara, të cilët i kanë hyrë garës për të qenë e pjesë e asambleve komunale.

11 persona me aftësi të kufizuara nga komuna e parti të ndryshme do të jenë në lista zgjedhore të dielën e 17 tetorit 2021, si kandidatë për asamble në Prishtinë, Podujevë, Prizren, Ferizaj, Kamenicë, Skenderaj e Deçan.

Të kontaktuar nga Telegrafi, nëntë prej tyre kanë shpalosur qëllimet e tyre, vështirësitë për pjesëmarrje në zgjedhje dhe synimet që kanë në të ardhmen nëse do të fitojnë vend në kuvendet përkatëse komunale.

Leonor Berisha kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamble komunale në Prizren ka thënë për Telegrafin se me vite ka qenë përfaqësues i rinisë dhe i personave me nevoja të veçanta në Kosovë, duke u përballur me vështirësitë për realizimin e kërkesave të tyre dhe e ka parë të nevojshme, të arsyeshme dhe të domosdoshme, kandidimin si kuvendar në Prizren.

“Mendoj se aktivizimi brenda për brenda institucioneve, do të jetë më i lehtë në zgjidhjet e problemeve me të cilat përballemi çdo ditë”, thotë Berisha.

Ai ka pasur ftesa nga të gjitha partitë për të marrë pjesë në zgjedhje, por ka zgjedhur një për tu bërë pjesë e listës së tyre.

“Prioritetet e mia nëse do ta fitoja një vend në asamble do të jenë të fokusuara në sigurimin e ujit të pijes për fshatrat që kanë mungesë të ujit, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e saj, duke e ditur se Prizreni është kryeqytet historik, si dhe ndërtimin e dy qendrave rinore. Përmirësimi e infrastrukturës për qasje të plotë të personave me nevoja të veçanta, punësim sipas ligjeve në kuadër të kësaj kategorie, si dhe krijimin e databazës për persona me nevoja të veçanta në Prizren”, shprehet ai.

Edhe Kaltrina Zeqiri ngë Lëvizja Vetëvendosje tha se askush më herët  në Komunën e Artanës nuk ka organizuar aktiviteve në lidhje me personat me aftësi të kufizuar, kjo edhe e ka shtyrë që të marrë pjesë në këtë garë.

“Dëshira ime është të loboj edhe të avokojë sa më shumë për një komunë gjithëpërfshirës edhe per një shoqëri pa paragjykime, na e dimë qe komuna e Artanës vjen prej një vendi rural edhe patjetër që ka me pas paragjykime. Tjetra arsyeje është se komuna e Artanës është plotësisht e pa qasshme për në sa i përket infrastrukturës publike”, theksoi ajo.

Ajo tha se shoqëria e familja e kanë përkrahur shumë në këtë garë dhe kanë pritje të mëdha nga ajo.

“Shtylla parë është arsimi, pastaj shëndetësia, bujqësia, transporti publik, infrastruktura publike. Do të fokusohem në zbatimin e ligjit për aftësim dhe riaftësim profesional për punësim , në Komunën e Artanës nuk ka as një person me aftësi të kufizuar të punësuar në institucionet publike prandaj edhe dëshiroj të fokusohem te kjo çështje”, tha ajo.

Ndërkaq Blerim Shillova është në listën e Qëndron Kastratit për asamble komunale në Kamenicë.

Qëllimi i tij është të jetë zëri i komunitetit që i përket në Komunën e Kamenicës.

“Arsye ka qenë që të jem zëri ynë dhe gjithë atyre që kanë nevojë punësimi i infrastruktura jo e mirë për persona me atësi të kufizuara, pabarazia ligjore e të drejtave të njeriut, shkollimi i tyre dhe të drejtat e barabarta në punësim, e shumë arsye të tjera që kanë të bëjnë me persona me aftësi të kufizuar, por edhe për të gjithë që kanë nevojë për përkrahje ligjore e shtetërore”, tha Shillova për Telegrafin.

Ndërkaq, Partia Demokratike në Skenderaj ka bartës të listës Mentor Mehmetin, i cili tha se pasi që për njëzet vjet ka qenë pjesë aktive në shoqërinë civile dhe duke parë që shumë çështje për këtë kategori të njerëzve për t’i shtyrë përpara nevojitet politika, ka vendosur ta nis këtë rrugëtim, që sipas tij nuk është edhe të lehtë.

“Si sfidë kryesore gjatë kësaj gare është infrastruktura e dobët, qasja që e bën të vështirë lëvizjen, por edhe sfida të tjera, por që janë më pak të përballueshme në krahasim me lëvizjen. Në fokus do të jenë problemet e qytetarëve vurnerabil, por jo vetëm. Kryesisht do të trajtoj gjithë përfshirjen në qytet, zbatimin e legjislacioneve dhe rregulloreve ne çdo sferë të jetës për të gjithë. Do të loboj për sigurimin e transportit për destinacionet të përditshme p.sh.  dyqane, shkolla dhe vende pune. Do të kërkoj nga legjislative komunal për ofrimin e shërbimeve shëndetësore  dhe sigurinë për popullsinë e rrezikuar  p.sh. fëmijët, njerëzit e moshuar, personat me aftësi të kufizuara  Do te sigurohemi që ndërtesat e vjetra  dhe ato të reja të jenë të qasshme”, thekson ai, duke shtuar se në forma të ndryshme do të kërkojë ndihmë për pajisje me mjete ortopedike si dhe nevojat e përditshme të personave me aftësi të kufizuara.

Fahri Krasniqi, nga Partia Demokratike e Kosovës është kandidat për asamble të Prishtinës, i cili ka thënë se arsyet kryesore  që e kanë shtyrë të marr pjesë në zgjedhjet lokale kanë qenë dy, “Vështirësitë që kam hasur si banor i fshatit Grashticë, fshat i cili ndodhet 12 km larg Prishtinës, i cili nuk posedon as ujësjellës, as kanalizim, as transport e ndriçim publik, me një rrugë të dëmtuar që nuk mirëmbahet as dimrit e as verës”.

Dhe po ashtu vështirësitë që ka hasur si person me aftësi të kufizuar që nga mosha 7 vjeçare.

“Unë konsideroj se nuk është bërë mjaft për personat me aftësi të kufizuara në Prishtinë. Duke filluar nga qasja në trotuaret e Prishtinës, mungesa e qasjes në objektet e vjetra apo edhe objektet e reja që ndërtohen pa kritere dhe shumë probleme tjera. Sfida e vetme për kandidim ka qenë aftësia ime e kufizuar. Prioritet për mua nëse fitoj një vend në asamble do të jetë ngritja e zërit për personat me aftësi të kufizuara dhe për përmirësimin e kushteve elementare dhe infrastrukturore për banorët e Gollakut”, theksoi Krasniqi.

Garës së 17 tetorit, i ka hyrë edhe Endrit Januzaj, në listë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Komunën e Deçanit.

Januzaj ka thënë se synimet e tij janë rregullimi i infrastrukturës së përshtatshme për persona me aftësi të kufizuar, përshtatja e trotuareve për persona me aftësi të kufizuara, parkingje të rezervuara, rregullimi i qasjes në shkolla, shtëpi të shëndetit, salla sportive, po ashtu skollimin dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe tema specifike në komunë.

“Për pacientët me aftësi të kufizuara, plagët dekubitare transporti dhe pastrimi në shtëpi , p.sh rastet e dializëz. Pastaj, të ndahen bursa edhe për studentët me aftësi të kufizuara. Duke parë situatën me çka po ballafaqohen personat me aftësi të kufizuar, duke nisur nga karrocat e deri tek sigurimi ilaçeve, mos rregullimi i qasjeve, duke i lënë ata pas dore kjo ishte arsyeja që të jem zëri i tyre”, tha Januzaj.

Në garën për asamble të Komunës së Prizrenit do të marrë pjesë edhe Barije Qovanaj nga Partia Demorkatike e Kosovës.

Në prononcim për Telegrafin, Qovanaj tha se në 4 vitet e fundit kam parë shumë dukuri negative të cilat e kanë shtyrë që t’i futet garës dhe të jap kontributin e saj, duke qenë se asaj i është mohuar punësimi.

“Një nga sfidat ka qenë mohimi i së drejtës që unë t’a ushtroj profesionin tim si infermiere ku kam studiuar me vite deri në nivelin master. Përkundër që unë gëzoj dhe të drejtën si person me aftësi të kufizuar, edhe në këtë rast më është mohuar e drejta e punësimit, ku automatikisht është shkelur dhe ligji. Ka qenë sfidë për mua të shkollohem në shtetin tim dhe mos kem mundësin të jap kontributin tim, ashtu si shumë bashkëmoshatar të mi”, theksoi ajo.

Ajo u shpreh se do bëj maksimumin të jetë zë i fort për kategorinë e personave më aftësi të kufizuar.

“Si person i tillë di më së miri hallet e tyre dhe sfidat me të cilat përballen ato çdo ditë. Këto persona meritojnë t’ju dëgjohet zëri dhe të kenë më shumë qasje në shoqërinë tonë. Çdo kërkesë e tyre do jetë obligim moral dhe i padiskutueshëm për mua. Do jem bashkëpunëtore me të rinjtë Prizrenas për ide dhe projekte të ndryshme, ku ata mund t’i ushtrojnë profesionet dhe talentet e tyre”, tha ajo.

Edhe Egzona Hoxhaj është kandidate e PDK-së për asamble të komunës së Prizrenit, e cila tha se sfida e saj është që lokacionet ku organizohen aktivitetet e fushatës, janë të pa qasshme për të.

“Sfidë janë lokacionet në të cilat mund të organizohen aktivitetet në fushatë dhe janë të pa qasshme për mua dhe të gjithë personat e tjerë me aftësi të kufizuar, e shumçka si pasojë e keqqeverisjes dhe injorimit total të një grupi kaq të ndjeshëm shoqëror”, theksoi Hoxhaj.

Ajo tha se do të ketë fokus në mirëqenie, kthim i qasjes së dinjitetshme pa dallim komuniteti, fokus në problematikat kyçe të komunitetit si dhe gjithë prizrenasve.

Në garën për asamble komunale për Komunën e Podujevës është Qëndresa Haliti nga LDK-ja, e cila tha se sfida e vetme është që nuk mund të jetë e pranishme në të gjithë fushatën për shkak të gjendjes shëndetësore.

“Top prioritetet e mija që do t’i ngrisë si asambleiste janë, problemet e shumta me te cilat perballen personat me nevoja të veçanta, punësimi i tyre dhe mbështetja e plot ndaj kësaj kategorie”, tha Haliti. /Telegrafi/

Exit mobile version