Dy raste të grabitjes janë raportuar në polici gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Prishtinës.
Rasti i parë është raportuar në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë ku ankuesi mashkull kosovar ka informuar se një person i panjohur nën kërcënimin e thikës ia ka grabitur rreth 400 euro para nga arka e barnatores dhe është larguar në drejtim të panjohur.
Rasti tjetër ka ndodhur në fshatin Rusinoc të Lipjanit ku ankuesi mashkull kosovar përderisa ishte në objektin e vendit të punës në pompë të derivateve, ka hyrë një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës ka grabitur rreth 1000 euro.
Sipas ankuesit, i dyshuari me armë zjarri kishte shtënë një herë në drejtim të tavanit.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe është konfiskuar një gëzhojë. /Telegrafi/