E ardhmja e Antoine Griezmannit është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes së mediave, duke bërë të ditur se është shumë afër largimit nga Atletico Madridi.
Cadena Ser raporton se persona të afërt me Antoine Griezmannin bëjnë të ditur se ai tashmë ka arritur marrëveshje personale me Barcelonën dhe në verë do të përfundojë gjithçka.
Sipas të përditshmes spanjolle, sulmuesi francez po largohet nga Atletico, pas largimit të Diego Godin si lojtar i lirë dhe Lucas Hernandez që u transferua te Bayern Munichu.
Griezmann ka klauzolë prej 200 milionë eurosh për prishjen e kontratës, por skuadra katalunase po tenton ta ulë çmimin, pasi nuk janë të gatshëm ta paguajnë shumën e lartë ose duhet të heqin dorë nga disa lojtarë.
Francezi ishte shumë afër të kalonte te Barcelona edhe në verën e kaluar, por vendosi që ta vazhdojë kontratën me Atletico Madridin, ndërsa tani ka dorëzuar kërkesë që ta lejojnë të kalojë në Camp Nou. /Telegrafi/