Site icon Telegrafi

Përplasje pozitë-opozitë për Projektligjin për Institutin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur këtë të mërkurë ka miratuar Projektligjin për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti theksoi se dokumentimi dhe hulumtimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë janë thelb i këtij projektligji.

“Krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara duhet adresuar sepse janë parakusht për paqe të qëndrueshme, stabilitet afatgjatë dhe zhvillim të mëtejmë shoqërorë”, tha ai.

Derisa ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu i ka dhënë jehonë këtij projektligji duke e konsideruar atë sit ë parin që nga paslufta që merret hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës.

“Për herë të parë që nga paslufta, Republika e Kosovës do të ketë Institut që do të merret me hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Mirëpo ndaj këtyre pretendimeve ka reaguar, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

Ajo thotë se një institut i tillë ishte themeluar para 11 viteve.

“Qenka lavdëruar ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, se Kosova për herë të parë do të ketë Institutin për hulumtimin dhe identifikimin e krimeve të luftës. E vërteta është që Kosova ka themeluar Institutin për hulumtim dhe identifikim të krimeve të luftës para 11 vjetësh, në kohën kur ministrinë e Drejtësisë e udhëhiqte z.Hajredin Kuçi”.

Deliu ka përmendur edhe emrat që ishin pjesë e atij instituti.

Lexo po ashtu Miratohet Projektligji për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë

“Emra të respektuar si prof. Zejnullah Gruda, prof. Pajazit Nushi, prof. Ismet Salihu, prof. Fejaz Granqolli ishin anëtarë të këtij Instituti”.

Deputetja opozitare thotë se Instituti kishte edhe statutin e vet, por edhe kishte grumbulluar dokumente dhe ishin bërë edhe publikimet e para, brenda dhe jashtë Kosovës.

Ndryshe në vitin 2011, ministri i Drejtësisë në Qeverinë e drejtuar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi, me anë të një vendimi qeveritar kishte themeluar një institut për mbledhjen e fakteve mbi krimet e luftës.

Instituti ishte aktiv deri në vitin 2018 duke botuar disa libra, përfshirë kujtimet e rrëfimet e personave të pagjetur e raporte mbi shkatërrimin e pasurisë materiale të shqiptarëve.

Instituti u mbyll gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj./Telegrafi/

Exit mobile version