Emërimi i ambasadorëve të rinj nëpër pozitat e lira në botë është temë e diskutimit tash e disa muaj, prejse një pjesë e tyre, ata të emëruar politikisht u shkarkuan nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ndërkaq, sot ka dështuar edhe mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme e Diasporë, gjatë së cilës ishte paraparë të mbahet takim për dëgjimin e kandidatëve për ambasadorë.
Dështimi i kësaj mbledhjeje ishte arsyeja që gjatë ditës pati akuza e kundër akuza nga ana e deputetëve, anëtarë të këtij Komisioni si nga pozita ashtu edhe nga opozita.
Mbledhja dështoi për shkak të mungesës së kuorumit, për të cilën opozita thotë se nuk e kanë për obligim ta bëjnë, ndërkaq pozita mos-prezencën e deputetëve të opozitës në këtë mbledhje e sheh si sabotim të procesit për caktim të ambasadorëve.
Lajmin për dështim të mbledhjes e bëri të ditur, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi.
Ai akuzoi deputetët e opozitës se po sabotojnë procesin e caktimit të ambasadorëve.
“Ariana Shoshi nga PDK dhe Time Kadrija nga AAK kanë nënshkruar në fletëprezencën dhe kanë lëshuar takimin duke e bërë të pamundur zhvillimin e dëgjimit të kandidatëve dhe rrjedhimisht dëgjimi shtyhet për një datë tjetër. Ky veprim është sabotim i procesit të caktimit të ambasadorëve”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Ndërkaq, nga deputetet e opozitës nga PDK e AAK kanë deklaruar se nuk e kanë obligim t’ia bëjnë kuorumin pozitës.
Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, anëtare e këtij Komisioni, Time Kadrijaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Abazi ka prishtur konfidencialitetin e procesit të emërimit të ambasadorëve.
“Sot u mbajt mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme për intervistim të kandidatëve për ambasadorë. Ky proces është konfidencial dhe nuk duhet të bëhet publik. Kryetari i komisionit në pa mundësi të sigurimit të deputetëve të pozitës që në komision janë 7, në krahasim me opozitën që ka vetëm 4 deputetë, e ka prishur konfidencialitetin dhe me ka akuzuar mua se kam sabotuar mbledhjen e komisionit bashke me deputeten e PDK-së”, shkruan Kadrijaj.
Tutje, deputetja e AAK-së, ka thënë se, “Sigurimi i kuorumit është detyrë e pozitës dhe unë nuk kam dashur të bëhem pjesë e dështimit të politikës së jashtme të qeverisë”.
“Ambasadorët janë shkarkuar prej mesit të muajit maj e tash jemi në fillim të shtatorit. Kjo qeveri është një dështim total”, shkruan në fund ajo.
Ndërkaq, po për të njejtën gjë ka reaguar edhe deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi.
Musliu-Shoshi ka sqaruar arsyet pse është larguar nga mbledhja e Komisionit, teksa ka akuzuar për mashtrim deputetin e LVV-së, Haki Abazi.
“Haki Abazi po mashtron dhe dështimin katastrofal të qeverisë populiste që e ka suspenduar politikën e jashtme të Kosovës po përpiqet ta justifikoj me mbledhje të Komisionit Parlamentar, pa siguruar prezencën e deputetëve të mazhorancës. Që nga marrja e mandatit të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Znj. Gërvalla-Schëarz ka qenë jo-serioze në bashkëpunimin e saj me Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë. Komunikimi mes nesh dhe MPJD-së ka qenë thuajse inekzistent, ndërsa transparencë nuk ka pasur fare”, shkruan ndër të tjera deputetja e PDK-së.
Ajo u shpreh se, “Në këtë mbledhje të thirrur për të intervistuar kandidatët për Ambasadorë të Republikës së Kosovës, neve na është lënë shumë kohë e shkurtër në dispozicion për të analizuar profilet e tyre”.
“Prandaj edhe me kohën e shkurtër të lënë në dispozicion, është tentuar që procedura në Komision të shkojë sa për sy e faqe, në pamundësi për t’u njoftuar në thellësi me profilet e kandidatëve”, shkruan ajo.
Deputetja e PDK-së, ka thënë se komisioni ka pranuar vetëm pesë kandidatë.
“Marrë parasysh se Kosova ka gjithsej 32 misione diplomatike, e ligji parasheh që 50% e shefave të jenë me çelës politik, ne nuk kemi një qartësi se ku janë edhe 11 kandidatë të tjerë, të cilët MPJD ka pasur mjaftueshëm kohë për t’i identifikuar, mirëpo nuk kemi një transparencë sa i përket këtij procesi”, shkroi tutje ajo.
Musliu-Shoshi ka thënë se ka pasur qasje neglizhuese ndaj Kuvendit të Kosovës, teksa theksoi se “duhet të kemi parasysh se MPJD i raporton Kuvendit, e jo anasjelltas”.
“Deri më tani, kemi pasur një qasje neglizhuese ndaj Kuvendit në Përgjithësi, e ndaj Komisionit për Punë të Jashtme e Diasporë në veçanti. Duhet qartësuar fakti se deputetët nuk janë instrumentë të cilët Ministritë i përdorin për të arritur qëllimet e tyre! Ju duhet të jepni përgjegjësi si mazhorancë para qytetarëve dhe Kuvendit – se pse e keni suspenduar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës duke humbur 5 muaj kohë të vlefshme, nga padituria elementare për proceset e rregullta diplomatike dhe nga neglizhenca flagrante e papresedan e Ministres ndaj një shteti që e ka gjetë të etabluar në skenën ndërkombërare”, shkruan ajo.
Sipas saj, “Tani kur Serbia po përgatitë agresivitet diplomatik për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, ju i keni pasivizuar misionet diplomatike të Kosovës në vendet aleate. Kosova asnjëherë në historinë e pas pavarësisë nuk ka qenë më e rrezikuar sesa sot nga zhbërja e të arriturave në politikën e jashtme”. /Telegrafi/