Djegia e zyrave në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe rasti i Astrit Deharit, ka shkaktuar përplasje në Kuvend mes deputetit Haki Abazi dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Abazi akuzoi ministren Haxhiu se ka dështuar të menaxhojë këtë institucion i cili është nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë.
“Nëse dikush largohet nga pozicioni i përzgjedhur sepse ka pasur çelësin e një dere, këtu më së paku mundemi me dalë me fol për drejtësi. Le të del ministrja të tregoj fakte të dyshimit të bazuar që njeriu që është përcaktuar për drejtor të institutit, ka fakte se ka qenë pjesëmarrës i zhdukjes së mostrave ose ka mundësuar zhdukjen e mostrave. Nuk mundemi me leju një përrall të tillë të ministres së Drejtësisë”, ka thënë Abazi.
Pas kësaj ka reaguar ministrja Haxhiu, e cila tha se nuk po e kupton se pse është kaq “i frustuar” deputeti Abazi.
“Nuk gjykova, as nuk bëra hetime as nuk fajësova askënd. Thash kanë qenë katër zyrtarë që kanë pas çelësat dhe rasti është në hetime. Unë nuk thash as që zonja apo zotëria kanë përgjegjësi për këtë, sepse unë asnjëherë nuk kam vizituar vendin ku ruhen mostrat. Nëse ke fakte shko në Prokurorinë Speciale”, iu drejtua ministrja, deputetit Abazi.
E tjetër reagim pati sërish nga deputeti Haki Abazi. Ai tha se është i frustuar me padrejtësinë.
Abazi tutje hodhi akuza të rënda ndaj ministres Haxhiu duke thënë se ka marrë informacione nga Prokuroria për deklaratat e tij që ka dhënë.
“A e dini pse prokurori ka qenë i kujdesshëm në intervistimin tim, sepse Ministria e Punëve të Brendshme ka dërguar një matrapaz në momentin e intervistimit tim që ka treguar revolen me kërcënim. Ku e din ministrja se çfarë kam thanë unë në prokurori, e ka pyetur matrapazin aty…”, ka thënë Abazi.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha pastaj se kjo është shqetësuese dhe rasti duhet të adresohet.
E ministrja Albulena Haxhiu u shpreh se “policët me revole i kam parë edhe unë, para tre dite isha të jap deklaratë për rastin Deharin. Policët që më kanë intervistuar revolen e kanë pas në brez, dhe nuk e kam marrë si kërcënim. Nëse ti tenton mu viktimizua është diçka tjetër, e di ku po të dhemb ty ti donë me mbet gjallë në skenën politike”. /Telegrafi/